Andrea Stefani – Sapo qeveria “Rama” frymëzoi dhe nxiti një operacion të
vendosur për ndëshkimin, sipas ligjit, deri me burg të kujtdo që vjedh
energjinë elektrike apo nuk e paguan atë, në sportelet e operatorit të
shpërndarjes u dyndën, dukuri e paparë në këto vite, masa qytetarësh
(biznesmenë dhe familjarë) që kërkonin të paguanin deri edhe milionat e
prapambetura për vite me radhë.
Ka një debat këto ditë mbi sa po ndodh lidhur me energjinë elektrike. Duke marrë shkas nga mbështetja prej policisë së rendit e operacionit të ndëshkimit të vjedhësve të energjisë, opozita e PD akuzoi qeverinë se po vendos “shtetin policor”. Përfshirja e policisë u quajt e tepërt, frikësuese madje terrorizuese për qytetarët! Por a është vërtet kështu?
***
Që në krye të herës duhet thënë se policia bëri këtë radhë detyrën, atë që nuk e ka bërë sa e si duhet për shumë vjet. Prandaj ky veprim i vendosur i policisë në mbrojtje të ligjit dhe të pronës publike (energjisë) mund t’i duket i pazakontë (madje terrorizues) kujtdo që është mësuar të shohë një polici që, krejt në kundërshtim me misionin e saj, rri e vështron sesi njerëzit grabisin shtetin e tyre. Ligji parashikon edhe burg për këdo që vjedh energjinë. Qeveria e tha qartë këtë dhe e shoqëroi edhe fjalën e saj me vepër, dërgoi jo pak para gjykatësve. Dhe ç’është e vërteta, kjo mund të ketë frikësuar jo pak vetë. Por ama askënd që ka qenë korrekt me pagesat. Ka frikësuar vetëm ata që vidhnin ose nuk paguanin prej vitesh duke i thithur çdo vit buxhetit publik nga 150 milionë euro! A duhet të shqetësohemi, të kemi frikë nga kjo frikë? Mendoj që jo. Frikë duhet të kemi nga një situatë ku vjedhësit nuk kanë frikë. Dhe, mjerisht, kjo ka qenë situata për mbi dy dekada në sektorin e “dritave”.
***
Nuk ka asnjë dyshim se dyndja e njerëzve për të paguar faturat e energjisë nuk erdhi nga një zgjim i beftë moral i tyre, por nga frika e gjobave të kripura dhe akoma më shumë, ajo e ndëshkimit me burg. Në këtë rast, frika nga ndëshkimi i ligjit kompensoi jo moralin, por mungesën e moralit. Po, një e vërtetë alarmante, por e vërtetë! Shumë shqiptarë janë treguar të pamoralshëm ndaj shtetit të tyre ndërsa vidhnin dhe s’paguanin energjinë. Dhe barrën e vjedhjes së tyre ia kanë kaluar, indirekt si rritje çmimi, bashkëqytetarëve të ndershëm në pagimin e energjisë. Për vite e vite me radhë. Por fajësia nuk është vetëm e tyrja. Madje jo kryesisht e tyrja, por e të gjitha qeverive të derisotme që toleruan kriminalisht vjedhjen nga masa të tëra qytetarësh dhe biznesesh, duke e trajtuar energjinë në mënyrën më të papërgjegjshme, si një mall pa zot. Dhe me këtë, kanë bërë krimin më të rëndë që një qeveri mund t’i bëjë shtetit të vet, kanë toleruar vjedhjen duke e shndërruar në zakon, në epidemi që ka infektuar një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Kjo do të thotë që qeveria ta shthurë shtetin me duart e veta kur duhet të bëjë të kundërtën, ta thurë atë. Do të thotë t’i heqësh shtetit tullën e parë dhe të fundit që është ligji. Sepse shteti fillon dhe mbaron me ligjin.
***
Natyrisht nuk do të donim të qe kështu. Nuk do të donim që frika dhe jo morali, të ishte forca lëvizëse që i detyron njerëzit të paguajnë energjinë dhe të mos vjedhin. Por ndërsa fuqizimi i moralit është objektiv, zbatimi i ligjit është një nga rrugët që çon në fuqizimin e moralit. Sepse kur triumfon zbatim i ligjeve të mira, atëherë të gjithë shohin se sa dobiprurëse për të gjithë është të zbatosh ligjin, kuptojnë arsyen e zbatimit të ligjit dhe pra, bëhen më të arsyeshëm. Por një situatë, si kjo që kemi kaluar këtu në Shqipëri, ku vjedhësit nuk ndëshkohen nga ligji por përkundrazi, ndëshkohet të paguajë edhe për vjedhësit kush nuk vjedh, nuk mund të mos çojë në degradim moral të shoqërisë dhe shtimin e radhëve të vjedhësve me përmasa epidemike.
***
Duke shkruar për dallimin mes Orientit (Lindjes) dhe Oksidentit (Perëndimit), filozofi gjerman, Hegel, konstatonte se në Orient, morali zinte vendin e ligjit, sepse vetë ligji nuk ekzistonte si i tillë. Por e keqja ishte se normat morale nuk ishin fare të subjektivuara pra, zbatoheshin nga nënshtetasit thjesht si rregulla që atyre u imponoheshin nga jashtë, s’ka rëndësi nëse ata vetë i pëlqenin apo jo. Në të kundërtën në Perëndim, vërtet ekzistonin edhe sanksione dhe urdhra ligjorë të detyrueshëm për zbatim, por sqaron Hegel, te prirja e perëndimorëve për t’iu bindur ligjit vërehej edhe një dozë simpatie për kërkesat e ligjit. Shkurt, në Lindje morali shfaqej si ligj ndërsa në Perëndim ligji shfaqej si moral. Po ne shqipot ku jemi? Ne nuk jemi as te morali si ligj as te ligji si moral. Sepse jemi në një stad, dhe po e mbyllim me Hegelin, kur për shumicën dërrmuese të njerëzve: “pasionet, qëllimet private dhe kënaqja e dëshirave egoiste janë… burimi më efektiv i veprimeve. Fuqia e tyre bazohet në faktin se ato nuk respektojnë asnjë nga kufizimet që imponohen nga drejtësia dhe morali; dhe këto impulse natyrore kanë një ndikim më direkt mbi njeriun sesa disiplina artificiale dhe e mërzitshme që tenton të urdhërojë vetëpërmbajtjen, ligjin dhe moralitetin”. Prandaj, që të kundërbalancojmë forcën e këtyre impulseve natyrore, duhet të këmbëngulim në zbatimin e ligjit për pagesën e impulseve të energjisë!
Top Channel