Përdhunimi në pyllin e Semanit, për hakmarrje

04/11/2014 00:00

Përdhunimi dhe grabitja e 28-vjeçarit nga Fieri dhe së fejuarës së tij
rreth dy javë më parë në pyllin e Semanit, dyshohet të ketë pasur si
shkak një hakmarrje të autorëve ndaj të dëmtuarit.

Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime konfidenciale të policisë, të cilat shprehen se nga verifikimi i së kaluarës së 28-vjeçarit të dhunuar seksualisht, si dhe nga informacione të marra në rrugë operative janë ngritur dyshimet se shkak i ngjarjes së rëndë ka qenë një hakmarrje e autorëve për një konflikt që ata kishin pasur pak muaj më parë me të riun, ngjarje e cila ka ndodhur në qytetin e Fierit. Mësohet se pak kohë më parë, 28-vjeçari ka debatuar ashpër me një person, por atëherë sherri nuk ka degjeneruar në përleshje fizike.

Duket se mëria e personit në konflikt me 28-vjeçarin ka sjellë dhunën seksuale e grabitjen që u kryen nën presionin e armëve të zjarrit. Por, ndonëse policia tashmë ka emra konkretë të dyshuar për këtë ngjarje, vetë i dëmtuari ka deklaruar se nuk i njeh autorët dhe se zëri i tyre nuk i është dukur i njohur. Të njëjtën gjë mësohet të ketë pohuar para hetuesve edhe e fejuara e 28-vjeçarit, e cila sipas policisë, nuk rezulton të ketë pasur njohje me autorët e dyshuar.

Qëndrimi i 28-vjeçarit ka ngritur dyshimet e policisë për kryerjen e vetëgjyqësisë nga ana e tij, pohojnë burimet. Ato shtojnë se edhe pse policia ka arritur të identifikojë autorët e mundshëm të këtij krimi, nuk është arritur ende të dokumentohen këto dyshime. Për këtë arsye, burimet nuk kanë bërë të ditur emrat e autorëve të mundshëm të dhunës seksuale, por pohojnë se ata mund të jenë të afërm apo familjarë me njëri-tjetrin. Për arsye të sekretit hetimor policia nuk ka bërë të ditur as motivet e konfliktit që ka pasur pak kohë më parë 28-vjeçari i dhunuar seksualisht.

Që në momentet e para, policia ngriti dyshimet se autorët kishin qenë të mirëpërgatitur dhe se i kishin ndjekur të dëmtuarit nga qyteti i Fierit deri në pyllin e Semanit ku edhe i dhunuan pasi i kapën në befasi. Ngjarja ndodhi pasditen e 20 tetorit në pyllin e Semanit. Sipas deklarimeve të dy të rinjve para hetuesve, është mësuar se rreth orës 14:00 të datës 20 tetor ata janë nisur nga qyteti i Fierit për të kaluar atë pasdite në intimitet në bregdetin e Semanit. Të rinjtë janë shprehur se pasi kanë parkuar makinën në brendësi të pyllit me pisha kanë qenë duke qëndruar pranë njëri-tjetrit kur rreth orës 15:00 aty kanë mbërritur dy persona të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri. Kur dy agresorët kanë mbërritur pranë vendit ku po qëndronin të fejuarit, ata kanë qenë pothuajse të zhveshur dhe “vizita” e të paftuarve i ka zënë në befasi. Në këto kushte, dy agresorët i kanë qëlluar dhe i kanë kanosur me jetë. Më pas u kanë lidhur duart dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë jo vetëm ndaj vajzës së re, por edhe ndaj të fejuarit të saj 28-vjeçar, i cili, i kapur në befasi dhe nën presionin e armëve të zjarrit nuk ka mundur të reagojë. Pasi kanë kryer marrëdhënie seksuale dhe i kanë dhunuar fizikisht e kanosur me jetë për rreth një orë, autorët i kanë lidhur në një pemë të rinjtë dhe u kanë marrë rrobat, celularët, paratë dhe gjithë sendet personale që kishin me vete, duke i lënë të zhveshur. Kur dhunuesit janë larguar, dy të rinjtë kanë mundur të lirohen dhe kanë gjetur disa qese plastmase në makinën e tyre me të cilat kanë mbuluar pjesët intime. Ata kanë shkuar në postën e policisë në fshatin Seman dhe kanë denoncuar dhunën që u ishte ushtruar si edhe vjedhjen e gjithë teshave dhe rreth 10 mijë lekëve të reja që kishin me vete. Sipas të dëmtuarve, grabitësit kanë përdorur mjete mbrojtëse për kryerjen e aktit seksual, duke mos lënë gjurmë të AND-së së tyre në trupin e të dhunuarve, çka sipas policisë e bën të vështirë dokumentimin e autorësisë.

Top Channel