“Autochthonous”, flamuri i pashmangshëm

02/11/2014 00:00

Ndue Dedaj – Tashmë sapo të klikosh në Google te flamujt, të shfaqet dhe ai, foshnjori, i paprituri, befasuesi “Autochthonous”, i cili bëri vend rrufeshëm mes tyre.

Flamuri që ra si nga qielli në stadiumin e Beogradit më 14 tetor, duke bërë xhiron e botës, i etiketuar si provokues, nacionalist, shqiptaromadh etj. Por ai pa dashur t’ia dijë për këto epitete, hyri në atlasin e flamujve më shpejt se asnjë tjetër, me gjasë për të mos dalë më prej andej. Ani se pa qenë i asnjë shteti të shqiptarëve, por jo i askujt. Shqiponja është simboli i flamujve të disa shteteve, i shqiptarëve, malazezëve, serbëve, gjermanëve, ashtu si dikur i bizantëve etj. Është djegur disa herë shqiponja jonë e flamurit, kurse ne si shqiptarë nuk kemi djegur “shqiponjën” e askujt. As diellin e hënën e ndokujt. Mjafton kaq për të kuptuar se kush është nacionalist dhe kush veçse kombdashës. Tjetërkund është urrejtja e gjyshërve dhe etërve e përcjellë te bijtë. Gjeni në Europë tre udhëheqës të tjerë si Presidenti, Kryeministri e ministri i Jashtëm serb që të përdorin atë gjuhë, që ata përdorën ndaj shqiptarëve këtë mestetori. Por tjetër është populli serb, i cili nuk mund të identifikohet me nacionalizmin dhe falangat militare serbe që kanë kryer krime çnjerëzore në Bosnjë, Kroaci, Kosovë etj. Edhe në një stadium nuk janë 30 mijë vetë të instrumentalizuar (nacionalisht), por vetëm disa dhjetëra apo qindra njerëz nga tifozeria. Nuk është elita serbe, vizionarët properëndimorë, përfshi dhe shefat e sportit. Nuk është assesi populli serb i gabuari, por politika tifoze. Populli është më së pari aty ku ka fqinjësi të mirë dhe ku lidhën martesa mes shqiptarëve e serbëve sot e gjithë ditën, duke u lindur fëmijë të “përzier”, një argument që do të meritonte më tepër shtjellim, pasi është një kontekst pozitiv, por që e kemi lënë pa shumë tekst; përfshi dhe faktin që në disa ekipe shqiptare luajnë futbollistë serbë, në Tiranë, Shkodër, Fier etj., dhe janë të mirëpritur.

Kurse lidhur me flamurin amator të quajtur i “Shqipërisë së Madhe”, do të japë e do të marrë diplomacia, por ai zor se do të ikë më nga ndërgjegjja e trazuar e rajonit, ndaj ia vlen të lihen mënjanë etiketimet rreth tij dhe ai të analizohet. A është vërtet një simbol? A përfaqëson diçka që nuk e përmbajnë simbolet e tjera kombëtare shqiptare? Ai flamur mund të jetë punë e vetëm një njeriu, por nuk është një i vetëm shpikësi i tij. Harta etnike e shqiptarëve nuk është diçka e re. Kompozimi i atij flamuri ashtu po, që përtej diletantizmit do të kishte qenë më fin, pa personazhe historike etj., çka e bën më shumë një afishe krenarie. Kësisoj nuk është nacionalizmi shtysa e tij. Ai flamur nuk shkon më përtej se vetvetja, se trojet etnike shqiptare. Ai thjesht thotë se shqiptarët në këto troje janë autoktonë. Këtë e kanë thënë dhe albanologët europianë që janë marrë me shqiptarët. Ai flamur nuk thotë se duhet bërë një Shqipëri më e madhe se trojet e saj natyrore, etnike. Siç asgjë nacionaliste nuk ka në vargjet e Gjergj Fishtës: “Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit/ Prej Tivarit m’Monastir”/ do të valvitet flamuri i Shqypnis”, duke treguar dhe fiks vendin se ku kjo do të ndodhë, në Kaçanik. A mundet ndokush brenda kësaj hapësire me gjet ndonjë rranjë të huaj? E gjitha ka folur vetëm shqip. Për më tepër, profesori i madh, tashmë shekullor, Idriz Ajeti, në Prishtinë, na kujton se toka jonë është deri në Nish, e ne nuk mund ta harrojmë këtë klasik të gjallë të gjuhës shqipe. E gjithë vetëdija shqiptare është e mbrujtur kështu. Nuk thoshte më kot këto ditë një zotëri në Tiranë, se Shqipëria etnike është më e madhe se trojet etnike, pasi ajo është shtrirë dhe te diaspora shqiptare, emigrantët tanë kudo janë. Kundër kujt është diçka e tillë? Kujt i bën dëm? Kujt ia prish kufijtë? Kjo është shpirtërore dhe jo luftarake. Nuk është flurudhë të kërkosh që në Preshevë të vesh pa vizë te vëllai yt i gjakut, as që të dëgjosh të flitet shqip në Tivar, as që të ketë libra shqip në libraritë e Tuzit e Ulqinit. E kjo është veçse Shqipëria e motmotit në territoret e saj etnike, që njëherë ia ka krasitur një Kongres famëzi e njëherë tjetër një Konferencë famëzezë. Të gjithë e dinë se Shqipëria rrokej në katër vilajete: i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe i Janinës. Nuk ka qenë kurrë problem Shqipëria e Madhe, përkundrazi, problemi ynë historik ka qenë rrudhja, vogëlimi, përgjysmimi i hapësirës mbarëshqiptare.
 
***
Integrimi europian është pa mëdyshje qëllimi ynë, por atje mund të shkohet dhe me shtete etnike. Sipas studiuesit Ardian Ndreca, “kanë qenë lëvizjet nacionaliste që kanë formuar shumicën e shteteve moderne europiane”. Në rastin shqiptar mbase duhen dëgjuar më mirë nga kancelaritë dhe diplomacitë ato që ziejnë ndër njerëz lidhur me kombet dhe shtetet, që janë veçse krijesë e njerëzve, e ata kanë të drejtë t’i analizojnë e gjykojnë. Njerëzit që nuk e kanë shansin të priten e përcillen në vizita të rangut të lartë nëpër aeroporte e me qilima të kuq presidencialë shtruar, që nuk kanë foltore politike për t’u shprehur, duan dhe ata të thonë fjalën e tyre për shtetin a shtetet, gjeopolitikën, pa dashur t’ia dinë se udhëheqësit këto gjëra i kanë taksur për vete. Atëherë ata, të thjeshtit, bëjnë ca gjëra në dukje të papërfillshme, si “lodra”, por që vjen një çast e ato shpallen me gjithë marrëzinë e madhështisë së tyre, si në rastin e “Autochthonous”, që nxituan ta quanin gjer “bombë atomike”. Por kjo nuk i mërzit sendërtuesit e tij, pasi ata nuk janë nacionalistë luftënxitës, nuk janë ushqyer me këtë ndjenjë, që do të thotë urrejtje e një kombi ndaj një tjetri, ata thjesht mendojnë se shtetet janë bërë drejt apo shtrembër, janë bërë mirë apo keq për nga territoret. Ata nuk sugjestionohen kur u thuhet rëndshëm nga qeveritë e kryetarët e shteteve: po kjo është prishje kufijsh, ka Europë që mendon për këtë, nuk u bë çështja e kufijve, punë balonash! Mirë, more, mirë, thonë ata, me gjithë respektin për shtetet e konventat, a kishte Europë dhe atëherë kur ajo që shihet në hartën tonë etnike, u copëtua mizorisht me firmën e saj? E ku e kemi shkelur ne të dronit, atëherë? Kemi marrë hartën e shqiponjës sonë dykrenore dhe e kemi vënë në atë emblemën që panë të gjithë, ngaqë ky është kombi ynë me rrënjë e me degë. E hodhëm në stadium? Të gjithë venë me flamujt e tyre në stadiume, ne lëshuam aty po atë shqiponjë që ishte zyrtarisht në tribunë, ani se (ar)mikpritësit na këndonin si në kohët e Car Dushanit: “Vritni shqiptarët”. Ajo shqiponjë (me kryetar shteti Ismail Qemalin dhe bashkëthemelues Isa Boletinin) është e pranuar nga të gjithë ata që na njohin si shtet. OKB-ja. NATO-ja. BE-ja. Uashingtoni. Edhe Serbia na njeh si shtet me atë shqiponjë. Pastaj a nuk ishte duke luajtur kombëtarja shqiptare? E kombëtarja s’ka si të jetë vetëm e 28 mijë kilometrave katrorë! Kombëtarja nuk është delegacion shtetëror që merret me politikëbërje. Ishte një short i UEFA-s dhe jo faktori shqiptar që e kishte lënë atë takim në Beograd.
 
***
Si mund të trembet dikush nga ajo që ka qenë harta e trojeve etnike shqiptare. A mund të themi se ajo nuk ishte? Ajo hartë nuk është shpikur sot me kalem nacionalist, thjesht është nxjerrë nga arkivat e historisë, nga dikush që dëshiron të krenohet me të dhe është lëçitur. Ajo hartë është dhe në tekstet e historisë së Shqipërisë. Nuk mund ta fshehim, nuk mund ta fshijmë, pasi me anë të saj na u shqetësoka diplomacia e sotme diku. Cili është krimi i asaj harte, që u dashka dëbuar me polici e diplomaci? Në atë dronin simbolik nuk kishte asnjë thirrje për të vrarë serbët, as për ndryshimin e kufijve. Shqiptarët kanë dëshirë që kufijtë e gjakut të tyre të dihen, siç ato kishin qenë pa ndodhur masakra e trojeve tona që zë fill me Kongresin e Berlinit. Jo më kot ka një qëndresë morale 136-vjeçare prej atëherë e deri më sot, çka bëri të krijohet Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e të mos pushojë ideja e Shqipërisë Etnike në të dy luftërat botërore të shekullit XX. Si mund të pranohej për Shqipëri ajo që na kishte lënë në “tapi” Konferenca e Ambasadorëve e 1913-s, më e egra kundër shqiptarëve? As vetë të huajt, qofshin ata dhe pushtues, nuk mund ta pranonin verdiktin e saj që na la me gjysmën e trojeve jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Perandori i Austrisë në Luftën e Parë ishte që “Shqipëria të mbetej në kufijtë etnikë”, kurse, siç dihet, gjatë Luftës së Dytë administrata u shtri dhe në Kosovë. Shqipëria etnike ishte një nga devizat kombëtariste të Mbledhjes së Mukjes. Kurse tani që u bëmë modernë dikush dëshiron që ne jo vetëm të mos merremi me këto, për më tepër, të mos shkruajmë as historinë tonë me sulltanët si pushtues, por si shpëtimtarë e civilizues, çka është absurde të mendohet.

Duhet kuptuar tashmë nga të gjithë, se nga viti 1999 ka një realitet tjetër gjeopolitik rajonal. Shtatë milionë shqiptarë nuk ka arsye të kenë më mes tyre një kufi që njëherë e një kohë e ka pas vendosur Jugosllavia, e cila nuk ekziston më. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk është vetëm diçka që shqiptarëve ua ka borxh historia e kontinentit të tyre, por dhe një mundësi më e mirë integrimi e bashkëpunimi në rajon. Koha e paragjykimeve ballkanike po kalon. Nëse dikur ishte Kongresi i Berlinit flamurtari i së keqes, tani është Berlini i Merkelit që po synon një rol të ri të shqiptarëve në Ballkan, ngaqë ata janë bashkëpunues. Kambanat euroatlantike nuk janë më shurdhe. Këtë e ndien dhe Nexhmije Pagarusha, ylli i muzikës kosovare, që kur mori pasaportën shqiptare në moshën 81-vjeçare në Tiranë, kumtoi: “Edhe një hap na ka mbetun me u bashkue, jemi një popull, nuk ka kuptim me qenë dy shtete. Koha nuk pret më”. Ka 15 vjet që politika dhe diplomacia e shqiptarëve e ndërkombëtarëve flet shqip në rajon, ndaj në ligjërimin politik të serbëve, dhe jo vetëm, është koha për refleksione të thella dhe jo për deklarata emotive të stilit shovinist. Ndryshe do të kishte qenë qasja ndaj Serbisë nëse në stadiumin e Beogradit do të ishte luajtur vetëm futboll dhe jo nacionalizëm ndaj shqiptarëve. Presidenti serb këto ditë refuzoi të merrte pjesë në një takim të nivelit të lartë në Beograd, vetëm pse aty ishte e ftuar dhe Presidentja e Kosovës. Atëherë natyrisht që faji nuk është i balonës së “Shqipërisë së Madhe”, çka tashmë ngjan të jetë një flamur i pashmangshëm.

Gazeta ‘Shqip’
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA