Zgjidhja për ujin e pijshëm në Kodër Vilë

01/11/2014 00:00

Rreth 800 familje në zonën e Kodër Vilës dhe Çezmës së Ferrës në qytetin
e Durrësit pritet të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm këtë
fillim nëntori.

Për shkak të terrenit kodrinor dhe ndërtimeve të kryera dekadën e fundit, banorët, kryesisht të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, kanë vuajtur mungesën e ujit të pijshëm, si dhe pasojat e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet.

Aktualisht po punohet në ndërtimin e linjës së re që do të lidhë shtëpitë e ngritura në faqen veriore të Kodër Vilës në drejtim të Çezmës së Ferrës me linjën kryesore të shpërndarjes së ujit të pijshëm.

“Këta banorë e kanë patur ujin e pijshëm rreth 800 metra larg, cka linte vend për abuzime dhe sillte edhe shkakonte ndotje të ujit. Linjat e reja do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve që ujësjellësi ofron”, thotë inxhinier Gerald Dautaj.

Paralelisht me shtrirjen e linjës po instalon edhe 14 kaseta të përbashkëta ku do të vendosen matësat për familjet që nuk kanë kontrata për furnizimin me ujë të pijshëm. Në përfundim të këtij investimi të Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, do të realizohet e njëjta ndërhyrje edhe në kodrën e Rrashbullit dhe në Arapaj.
 

Top Channel