PD: Rama hedh blozë përballë fakteve

01/11/2014 00:00

Partia Demokratike ka reaguar ndaj sulmeve që sipas saj kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të bëjë ndaj opozitës, përballë fakteve të rënda e kompromentuese, që tregojnë korrupsion, nepotizëm, dhe abuzim me pushtetin.

Përmes një njoftimi për shtyp, PD vlerëson se, sulmi i Edi Ramës ndaj opozitës nuk sjell asnjë dobi publike dhe aspak transparence, në lidhje me faktet e denoncuara prej saj sot.

“394 milionë lekë janë prokuruar nga qeveria në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa garë, për interes të Erion Veliajt. Është fakt që kompania që ka fituar tenderin për dekorimin e qytetit me rastin e vizitës së Papa Françeskut, kishte vetëm pak muaj që ishte krijuar dhe nuk plotëson asnjë prej kushteve teknike. Është fakt që kompania fituese ka të njëjtën adresë, është e strehuar tek zyrat e vëllait të ministrit të Mirëqënies. Vizitën e Papa Françeskut e mirëpriti çdo shqiptar, por Edi Rama dhe zyrtarët e tij gjetën rastin të pasurohen financiarisht”, thuhet në njoftim, ku saktësohet se këto janë faktet.

Ndërsa sa për reagimin e Ramës në të thuhet: “Reagimi i Edi Ramës sot është një shkarkim bloze në ajër për të krijuar mjegull. Por nuk ka shoshë që e mbulon dot korrupsionin qeveritar dhe ministrat serial-abuzues. Edi Rama premtoi se do të reagonte kur ministrat përfshihen në skandale, por mbrojtja që po i bën sot korrupsionit e bën atë dy herë përgjegjës. Sot dëshmoi se në këtë afere ka dhe ai pjesën e tij”, përfundon njoftimi për shtyp.

Top Channel