Më në fund Rama që njihnim

01/11/2014 00:00

ARBEN MANAJ – Pasioni politik që shihet në gjuhën trupore të Ramës në
interpelancën kur fliste për aksionet e qeverisë për energjinë apo për
zbatimin e ligjit nga forcat e policisë, më kujtoi atë Edi Rama që mbaj
mend dhe më kishte marrë malli, kur spastroi Tiranën nga qelbësirllëku i
Parkut Rinia, apo kur riktheu në identitet Lanën e bëri aq shumë që
Tirana të ishte ndryshe nga ajo kur ai mori mandatin e kryebashkiakut.

Kritizerët, që shyqyr Zotit që ekzistojnë, po flasin edhe për diktaturë, apo autoritarizëm, madje edhe për korrupsion okult.

Por Shqipëria nuk është një vend i mirëfilltë europian, e ku gjërat janë krijuar në mënyrë të atillë me kohë e që me ndonjë axhustim të vogël ligjor, gjërat përmirësohen.

Nuk kemi shtet të mirëfilltë, ku qytetari të dihet saktësisht se ku banon edhe kur i nis një letër, apo një gjobë. Nuk kemi një shtet ku mund ta paguash online një faturë e jo të mbash radhë, e nuk ka një shtet që ndëshkon kur bën një kundërvajtje, e madje nuk ka as edhe një sistem gjyqësor që të japë drejtësi të mirëfilltë.

Po ashtu, në shtetin tonë ka edhe njerëz me pushtet që kanë vjedhur dhe vazhdojnë të abuzojnë me postet dhe lidhjet politike për të përfituar personalisht dhe për të pasur avantazhe fitimprurëse, dhe bëjnë korrupsion safi.

Por ajo që më shqetëson janë reagimet e ndryshme për këto reforma që janë antipopullore padyshim.

Si çdo reformë, ato shoqërohen me dhimbjet e tyre, por kur bëhen për më mirë, në një plan afatgjatë ato janë të justifikueshme si çdo operacion apo ndërhyrje që kryen njeriu për të pasur një jetë më të gjatë e më të shëndetshme.

Kryeministri dhe kabineti i tij janë të vetëdijshëm dhe duhen vlerësuar se e kanë marrë përsipër një kosto të tillë, qoftë edhe elektorale, aq sa kanë menduar edhe përfitimet afatgjata të kësaj reforme.

“Të menduarit afatshkurtër përbën armikun më të madh të një qeverisjeje të mirë”, thotë politikani laburist australian, Anthony Albanese, gjysmë irlandez e gjysmë italian me origjinë, mundet edhe arbëresh.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë si deri më sot me këtë gjendje në sektorin energjetik, ku kishte një kompani koncesionare që ishte dështim në çdo dimension e për ta shpëtuar u bë shumë mirë.

Të paktën ata që e bënë atë punë të heshtin se ua kujtojnë shqiptarëve çdo sekondë se cilët ishin mëkatarët dhe nuk e kuptoj që në vend që të heshtin e ta harrojnë shqiptarët, ua kujtojnë më keq atyre me deklarata që të kujtojnë mizën nën kësulë.

Po ashtu, Shqipëria nuk mund të vazhdojë të funksionojë kur informaliteti është ulur këmbëkryq e ku një pjesë janë të nënës e një pjesë të njerkës.

Është e frikshme, kur qoftë edhe indirekt justifikohet që një pjesë të marrin një shërbim dhe të mos paguajnë dhe të jenë të nënës, e pjesa tjetër të paguajnë e të jenë të njerkës.

Askush që lexon këto rreshta nuk besoj se pi kafe apo blen bukë, apo pret një biletë avioni dhe nuk paguan tek privati, në rastin më të keq e shënon në listë apo qitapët e famshëm.

Kjo është një kulturë që do duhet të marrë fund se nuk ekziston në asnjë vend të botës. Në asnjë.

M’u desh të paguaja këto ditë një faturë të majme për një mospagesë të një takse që mendoja se ishte detyrim i dikujt tjetër, por sërish formalisht e likuidova unë. Jo vetëm faturën, por pagova edhe koston e kalimit të çështjes në gjykatë, madje edhe shumën për urdhrin e ekzekutimit të përmbarimit. Dhe e pagova si Çeçua. Kështu bëhet shteti dhe ky është ligji.

Po ashtu, po unë, do muaj më parë mora një gjobë makine se një rrotë e makinës kishte mbetur në trafik në kutinë me të verdha që është vizuar për kalimin e trafikut që vjen anash dhe më dhembi, por tani qëndroj një metër përpara këtyre vizimeve, sepse më dhembi xhepi e më rroftë që punoj, se mbaj shtetin që është shtet dhe ka të drejtë në sanksionet në rastin tim transgresional.

Nëse doni që Shqipëria të bëhet si Europa, do duhet të aplikohen të tilla masa e shteti të marrë forma të tilla.

Dhe kjo është diktatura që kam qejf, diktatura e ligjit dhe zbatimit të tij.

Dhe ky është Rama, për të cilin votuan shqiptarët që të jetë po aq i fortë, këmbëngulës dhe vizionar sa ç’ishte në kohën e mandatit të parë e deri diku të dytë kur ishte kryebashkiak, e i shpalli luftë rrumpallës, si kësaj rrumpalle shtetërore që mbizotëron shëmtueshëm ngado që hedh kokën e përplasesh në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA