Daçiç: Shqipëria bllokoi partneritetin Serbi-NATO

01/11/2014 00:00

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaroi të shtunën se Shqipëria ka bllokuar Serbinë në nënshkrimin e Planit Aksional për Partneritet Individual me NATO-n.

“Serbia ka rënë dakord me NATO-n për programin IPAP. Pasi kjo i ka kaluar të gjitha instancat, Shqipëria ka paraqitur vërejtje. Konkretisht, na ka ndaluar. Nuk mund të kërkohet nga Serbia që të jetë konstruktive, teksa Shqipëria po aktron në radhët e NATO-s”, tha Daçiç, i cituar nga agjencia e lajmeve “Beta”.

Ai tha më tej se, për Serbinë ishte shumë e vështirë të vendoste lidhje me NATO-n. “Pas shumë vitesh morëm një vendim të prerë, por Shqipëria na bllokoi. Ky është një tregues i papjekurisë politike dhe mungesës së kritereve të njëjta për të gjithë”, tha Daçiç.

Shefi i diplomacisë serbe shtoi më tej se, vizita e parashikuar për më 10 nëntor e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd do të vijojë në “formën e paralajmëruar” dhe “kjo nënkupton se qëllimi kryesor i saj do të jetë normalizimi i marrëdhënieve dhe përparimi i mëtejshëm i tyre”.

Top Channel