Tiranë, plagoset një 48-vjeçar

30/10/2014 00:00

Një 48-vjeçar është plagosur rëndë mbrëmjen e së enjtes në zonën e “Unazës së Re” në kryeqytet.

I plagosuri, i identifikuar si Krenar Hasanaliaj, është qëlluar katër herë nga dy persona që udhëtonin me një motor, në momentin që ky i fundit ka qenë duke dalë nga një lokal i zonës.

Hasanaliaj është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku mësohet se gjendja e tij është në rrezik për jetën, pasi plumbat kanë prekur organet jetike.

Mësohet se menjëherë pas ngjarjes, dy atentatorët janë larguar në drejtim të zonës së Yzberishtit dhe, vetëm disa minuta më pas, motori me të cilin ata udhëtonin, tip “Scooter” me targa greke MKT 467, është gjetur i hedhur në liqenin e Domjes.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se Hasanaliaj është një person me precedentë të mëparshëm penalë dhe një ndër pistat kryesore të hetimit lidhur me ngjarjen është e shkuara e tij, por duke mos anashkaluar dhe konflikte të kohëve të fundit.

Ndërkaq, Policia ka ngritur postoblloqe të shumta në të gjitha rrugët kryesore të Tiranës dhe bëhet e ditur se deri më tani janë shoqëruar dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes, të cilët janë duke u marrë në pyetje nga oficerët e policisë.

Top Channel