Shqipëria, vend që i trajton mirë gratë

29/10/2014 00:00

Forumi Ekonomik Ndërkombëtar ka nxjerrë raportin vjetor për hendekun gjinor dhe mënyrën se si trajtohet femra në vende të ndryshme të botës.

Ky hulumtim nxori disa të dhëna të paparashikueshme: vendet nordike rezultuan si ajka e shoqërive demokratike dhe, e para mes tyre ishte Islanda. Ndërsa pesë vendet e fundit rezultuan Jemeni, Pakistani, Çadi, Siria dhe Mali, jo vetëm si pasojë e destabilitetit politik ose konflikteve, por edhe zakoneve të rrepta tradicionale që mbartin.

Kriteret mbi të cilat forumi është mbështetur janë: gjendja shëndetësore e grave, e drejta e tyre arsimore, mënyra se si trajtohen nga gjinia e kundërt, si edhe pjesëmarrja e tyre në politikën dhe ekonominë e vendit.

Nga 142 vende, Shqipëria renditet në vendin e 83-të. Sipas raportit, kjo për shkak se përparimi i saj ka ardhur në 10 vitet e fundit, prej momentit që fuqia punëtore e gruas ka nisur të krijojë themele të forta.

Megjithatë, sipas Sanja Saenavka, drejtueses së organizatës për mbrojtjen e të drejtave të femrave, femrat e Ballkanit janë të kufizuara kryesisht te trupi dhe pamja e tyre, duke e kufizuar vetvetiu fuqinë që zotërojnë.

Ajo gjithashtu shton se ballkanaset janë të diskriminuara nga punëdhënësit dhe shpesh viktima të një kulture, që lejon dhunën në familje. Megjithatë, autorët e hulumtimit ndërkombëtar thonë se barazia gjinore po përmirësohet çdo ditë edhe më shumë, pa lënë mënjanë edhe realitetet regresive që mbeten po aty.

Top Channel