Akuzat e PD-së, reagon Ministria e Arsimit

26/10/2014 00:00

Pas akuzave të ardhura nga Partia Demokratike, me anë të një deklarate për shtyp, ka reaguar Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke i cilësuar gënjeshtra të radhës. Në deklaratë thuhet se Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka vendosur kuotat dhe tarifat në përputhje me kërkesat e universiteteve publike duke qëndruar në krahun e studentëve e duke miratuar kuota në përputhje me kërkesat dhe tarifa ndjeshëm më të ulta se kërkesat.

“PD-ja thotë që qeveria ka pakësuar kuotat e masterit profesional në masën 40%, kurse ato të masterit shkencor në masën 30%. Gënjeshtër e padenjë për një grup njerëzish që paguhen me taksat e qytetarëve për të bërë opozitën. E vërteta është se për vitin akademik 2014-15 janë miratuar 6, 393 kuota për Masterat Profesionalë, ndërkohë që një vit më parë janë regjistruar në total 5, 559 studentë. Në këtë shifër të fundit përfshihen dhe jokaluesit që vijnë nga vitet e mëparshme e që janë një numër i konsiderueshëm. Ndërsa për Masterin Shkencor këtë vit janë miratuar 6, 547 kuota, ndërkohë rezulton se vitin e kaluar janë regjistruar në total 5, 890 studentë, ku edhe këtu janë bashkuar jokaluesit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Ndërsa përsa i përket tarifave, sërish Ministria e Arsimit shprehet se është udhëhequr nga parimi i politikëbërjes së përgjegjshme, “jo sikundër vepronte paraardhësi ynë, që i la shtetit dhe shqiptarëve një faturë mbytëse borxhesh mbi supe”.

“ Bazuar në këto nevoja është vendosur që në fillim të vitit akademik të paguhet 30% e tarifës së shkollimit, ndryshe nga vendet e tjera, madje dhe vendet e rajonit ku ajo paguhet nga 50%-100% në fillim të vitit akademik”,  thuhet në reagim.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit njofton të gjithë maturantët që kanë aplikuar në raundin e dytë të pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë me formularin A3, se shpallja e rezultateve është shtyrë për arsye teknike dhe shpallja e publikimi i fituesve të raundit të dytë shtyhet deri ditën e martë, datë 28 tetor 2014.  

Regjistrimi i studentëve pranë fakulteteve ku janë shpallur fitues do të bëhet në ditët në vazhdim 29 – 31 tetor 2014, çdo ditë nga ora 09:00 deri 18:00, pranë sekretarive mësimore të këtyre fakulteteve.

Top Channel