Zgjidhja për mbeturinat në Elbasan

25/10/2014 00:00

Gjatë vitit të ardhshëm në qytetin e Elbasanit pritet të nisë ndërtimi i inceneratorit të parë, i cili do të djegë rreth 150 tonë mbetje në ditë dhe prej të cilit do të përfitohet energji elektrike.

Ky investim, me një vlerë prej 15 deri në 20 milionë euro, do të jetë në partneritet me një subjekt privat. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha se në këtë incenerator do të bëhet edhe djegja e mbetjeve spitalore.

“Zona është përcaktuar prej shumë kohësh. Pra, në landfillin ekzistues do eleminohen mbetjet për të cilat ka përfunduar studimi i sasisë dhe i shumës që do vihet në dispozicion nga bashkia. Do ndërtohet inceneratori me vlerë deri në 20 milionë euro, do të digjen 150 tonë mbetje në ditë dhe do prodhohen minimalisht 1.5 MW”, deklaroi Koka.

Ligji i mbetjeve, edhe pse u miratua me shpejtësi, ka mbetur pezull përsa i përket zbatimit të tij. Kreu i Ministrisë së Mjedisit tha se duhet të rritet tarifa e mjedisit, e cila aktualisht nuk arrin të mblidhet siç duhet dhe kërkohet vendosja e një takse fikse për komunat dhe bashkitë.

“Një bashki ka një vend depozitimi, që ka dhe një kosto. Kërkon skavatorë dhe njerëz. Qytete si Durrësi apo Shkodra shpenzojnë rreth 200 mijë euro në vit. Duhet të jetë 400 mijë euro në vit, në mënyrë që të kemi përfitimin”, saktësoi Koka.

Në shumë njësi vendore, edhe pse kjo tarifë lëviz nga 300 deri në 1 mijë lekë, pushteti vendor arrin të mbledhë vetëm 30 deri në 70% të vlerës së saj.

Top Channel