
Një gjyqtar në Shtetet e Bashkuara ka dënuar një ish-anëtar të spikatur të grupit kolumbian të rebelëve FARK, me 27 vjet burg për shkak të rolit të tij në rrëmbimin e tre kontraktorëve amerikanë në vitin 2003.
Alexander Beltran Herrera dhe njësia paraushtarake e drejtuar prej tij u konsiderua përgjegjëse për transferimin e pengjeve dhe mbajtjen e tyre të burgosur të lidhur me zinxhirë.
Kontraktorët ndodheshin në Kolumbi për një mision mbikëqyrjeje kur avioni i tyre u rrëzua në xhunglën kolumbiane në shkurt 2003. Ata u morën peng dhe u shpëtuan 5 vjet më vonë nga ushtria kolumbiane.
Thomas Howes, Keith Stansell dhe Marc Gonsalves u mbajtën të burgosur nga anëtarët e Forcave të Armatosura Revolucionare Kolumbiane, nën kontrollin e njësisë së drejtuar nga Herrera.
Vetë Herrera nuk ishte shumë në kontakt me pengjet, por trupi gjykues dëgjoi se si të tre ata u rrëmbyen, u morën thellë në xhungël dhe u mbajtën të lidhur me zinxhirë për më shumë se 5 vjet, në kushte çnjerëzore.
Keith Stansell hoqi edhe këmishën e tij për të treguar se sa shumë shenja i kishin lënë në qafë zinxhirët, teksa e kishin lënë të lidhur në një pemë e teksa vuante nga malaria.
Herrera u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2012. Avokati i tij e përshkroi atë si një njeri të paarsimuar që ishte përpjekur të fillonte një jetë të re pasi kishte braktisur FARK-un në vitin 2009.
Sipas “Associated Press”, ai u kërkoi falje tre amerikanëve gjatë procesit, duke thënë: “Më vjen turp për atë që keni kaluar”.
Top Channel