Kanceri i gjirit, ekzaminim për të gjitha femrat

24/10/2014 00:00

Vetëm gjatë muajit tetor, i cili është muaji i luftës ndaj kancerit të
gjirit, në gjithë vendin janë kryer mbi 85 për qind e ekzaminimeve për
diagnostikimin e kësaj sëmundje të rëndë, që është shkaktari kryesor i
vdekjes së grave në Shqipëri.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja ka deklaruar se mbulimi total i popullatës me ekzaminime është sfida e Ministrisë.

“Të blejmë si fillim dy mamografë të lëvizshëm, për t’i dhënë mundësi edhe grave që jetojnë në zona rurale. Kemi thënë që ekzaminimi pa pagesë do të jetë në fund të tetorit, por gratë e regjistruara për ekzaminim mund ta kryejnë këtë proces edhe pas përfundimit të këtij afati”, tha Beqja.

Gjatë punimeve të konferencës së dytë ndërkombëtare “Te bashkuar kundër kancerit të gjirit”, ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama.

“Ai shpesh përbën privilegjin ose pengesën, që jo rrallëherë kushtëzon statusin social dhe karrierën e disfatën, e fitoren, apo humbjen, në shumë beteja, përfshi edhe ata me sëmundjen. Asnjë shoqëri nuk është e zhvilluar aq sa duhet, nëse nuk arrin dot të debatojë lirshëm dhe nëse nuk arrin dot ta kalojë diskriminimin. Ndërkohë që për fasadën e Kryeministrisë të pushtuar nga trupat e grave pati shumë komente kontroverse, imagjinoni sikur ne aty të kishim vënë gjokse dhe trupa burrash, askush nuk do të ishte marrë fare, ose maksimalisht do të kthenin kokën nga ana tjetër dhe do të thonin, ç’është kjo shije, pa shije”, tha Rama.

Top Channel