Deri tani nuk ka asnjë provë që ta lidhë autorin e sulmit në Parlamentit kanadez me ekstremistët e ISIS-it në Lindjen e Mesme.
Ministri i Jashtëm John Baird i tha BBC-së se Zehaf-Bibeau ishte padyshim i “radikalizuar”, por nuk figuronte në listën e individëve me rrezikshmëri të lartë. 32-vjeçari qëlloi për vdekje ushtarin rojtar përpara Monumentit kombëtar të Luftës në Otava, përpara se të vritej edhe vetë prej forcave të policisë.
Një ditë më parë u publikua dhe videoja, që tregonte agresorin duke hyrë në Parlament. Po kështu, në media qarkullojnë dhe raporte se kryeministri Stephen Harper u fsheh për rreth 15 minuta në një raft gjatë sulmit, ndërsa ligjvënësit rrëmbyen shtiza flamuri për t’i përdorur si armë kundër agresorit.
Edhe pse këmbënguli se Zehaf-Bibeau nuk kishte lidhje me Shtetin Islamik, kryediplomati Baird u shpreh tmerrësisht i shqetësuar nga numri në rritje i kanadezëve të radikalizuar dhe atyre që kanë shkuar të luftojnë në Irak e Siri.
Sipas raporteve të fundit, mbi 100 kanadazë i janë bashkuar xhihadit në Lindjen e Mesme, e kjo për autoritetet vendase është shifër mjaft e lartë. Ministri shtoi gjithashtu se pa një reagim të shpejtë, Zehaf-Bibeau mund të kishte bërë shumë më tepër dëm nga sa bëri.
“Për disa minuta ishte një tmerr i vërtetë, terror i plotë, nuk dinim cilën derë do shkelmonte, ashtu siç nuk dinim nëse ishte i vetëm apo bëhej fjalë për një grup njerëzish”, tha John Baird, ministër i Jashtëm i Kanadasë.
Për Kanadanë liberale, ngjarjet të tilla janë tronditëse. Në këtë vend, sulmet me të shtëna në masë janë shumë më të rralla se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në të njëjtën kohë edhe masat e sigurisë në disktriktin qeveritar janë dukshëm më të pakta se në Uashington.
Kanada, publikohen pamjet e sulmit në Otava
Policia kanadeze ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë sulmin në Otava.
Atentatori është identifikuar nga policia kanadeze dhe FBI, si Michael Zehaf-Bibeau. 32-vjeçari dyshohet si simpatizant në radhët e Shtetit Islamik. Kohët e fundit ai kishte aplikuar për një pasaportë me qëllim për të udhëtuar për në Siri.
Agresori i mori jetën e një ushtari përpara Memorialit të Luftës në Otava duke e qëlluar atë me armë zjarri, më pas ai u ekzekutua nga forcat e sigurisë.
E shkuara e Michael gjithashtu dëshmon se ai ka qenë një kontigjent kriminal prej vitit 2004. Analistët shkruajnë se akti kriminal i Kanadasë nuk duhet të cilësohet vetëm si një “rast i izoluar”, por të vlerësohet si një tentativë e ISIS për të përhapur ekstremizmin e tyre në çdo skaj të botës.
Top Channel