Tragjedia e Otrantos, dhimbja e pashuar e familjarëve

23/10/2014 00:00

Lavdie Maliqi vajton ende si ditën e parë të tragjedisë së Otrantos. 18 vite më parë ajo humbi vajzën 32-vjeçare, Mimozën, me tre fëmijët e saj.

“E kam marrë vesh përmes televizorit që ishte mbytur fëmija im. Vajza me tre fëmijët e saj. Në atë kohë u preka rëndë, sepse nuk doja që të ikte vajza ime. Ajo më kishte thënë jo, por e mori vjehrri dhe i kunatit e hipën në traget. U vrava shpirtërisht, mendo një nënë që i ikin 4 fëmijë. I rrita vet dy binjakët, por edhe Mimozën e kisha vajzë të parë, të nderuar e respektuar, më dhimbte shpirti dhe e martova në Vlorë, që ta kisha pranë. Nuk e mendova kurrë që vajza do të ikte në det. Nuk e mendova kurrë se përse duhej ta mbysnin, ishte vetëm me tre fëmijë në gjinj. Më dhimbsen ata fëmijë të fëmijës sim, Kamela, Geri, Linda… Më dhemb shpirti, fëmija i fëmijës qenka tepër i rëndë”, shprehet me lot në sy Lavdia.

Dhimbjen për humbjen e vajzës nuk e përballoi as bashkëshorti i Lavdies.

“Ne pësuam një tragjedi të jashtëzakonshme, se si rroj nuk e di, por mua më la jetime edhe burri. Me kë të qaja, me kë të thoja një fjalë, vetëm ai më mbante me kurajo. Unë e zeza ngela gjithë jetën në zi, në vend që të qaja 4, tashmë ngela në varreza duke qarë për 5 vetë. Jam një nënë e djegur tërësisht, sa të jem gjallë lotët e mi nuk thahen më”, shprehet Lavdia.

Nuri Maze është një tjetër familjar i viktimave të Otrantos. Ai ka humbur vajzën e tij Irmën, e cila në momentin e mbytjes së anijes po ushqente me gji djalin e saj 3-muajsh.

“Nuk e dija që vajza do ikte. Në fakt më kishte thënë disa herë krushku, do i nis, por unë i thoja gjithmonë jo. Vajta atje, gjeta të vjerrin me një tjetër dhe e pyeta se ku ishin të tjerët, m’u përgjigj se i kishte nisur në Itali. Po ç’pate që na i mbyte fëmijët i thashë… U largova nga ata dhe u ktheva në shtëpi t’i thoja gruas atë që mora vesh. Në ankth siç ishim hapëm televizorin dhe dëgjuam që anije e nisur nga Vlora ishte mbytur. Pak se u morën jetën, disa nuk u gjendën fare, por ti si shtet duhet t’i vlerësoje këta njerëz, se nuk ishin kunguj që u mbytën. Më kanë mbytur vajzën 21 vjeçe dhe jam aq i rënduar sa, nuk e harroj deri sa t’i vete pranë”, thotë Nuriu.

Top Channel