
Ben Bradlee, redaktori i “Washington Post” gjatë kohës së skandalit “Watergate”, i cili rrëzoi nga pushteti Presidentin Richard Nixon, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare, në shtëpinë e tij në Uashington dhe prej shkaqesh natyrore.
Si redaktor ekzekutiv i saj nga viti 1968 deri në 1991, Bradlee është vlerësuar për transformimin e “Washington Post” në një prej gazetave më të respektuara në Amerikë.
Në vitin 2013 atij iu dha vlerësimi më i lartë civil i vendit, “Medalja Presidenciale e Lirisë”.
“Për Benjamin Bradlee, gazetaria ishte më shumë se sa një profesion. Ajo ishte një e mirë publike, jetike për demokracinë tonë”, tha Presidenti Barack Obama gjatë një deklarate të publikuar nga “Shtëpia e Bardhë”, mbrëmjen e së martës.
“Një gazetar i vërtet, ai e transformoi ‘Washington Post’-in në një prej gazetave më prestigjioze të vendit tonë dhe, me të në krye, një ushtri e tërë reporterësh publikuan letrat sekrete të Pentagonit, ekspozuan ‘Watergate’-n dhe shkruan për historira që duheshin publikuar”.
“Ben Bradlee ishte një prej redaktorëve më të mirë të gazetave amerikane të kohës së tij, si dhe ka pasur impaktin më të madh ndaj gazetës së tij krahasuar me ndonjë prej redaktorëve modernë të saj”, tha Donald Graham, ish-botues i “Washington Post”.
Bradlee luajti një rol kyç në ndjekjen e asaj që më pas u bë e njohur si skandali “Watergate”, që rrëzoi Presidentin Nixon në vitin 1974. Skandali nisi kur 5 burra u kapën duke u përpjekur të hynin në zyrat e Komitetit Kombëtar Demokratik në kompleksin Watergate në Uashington, më 17 Qershor 1972.
Agresorët kontrolluan mikrofona përgjimi dhe dokumente të fotografuara. Bradlee inkurajoi dy gazetarë, Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të ndiqnin deri në fund këtë histori të pazakontë.
Kur regjistrimit sekrete nxorrën në dritë Nixonin si bashkëpunëtor dhe si mbulues të këtij skandali, Presidenti u detyrua të jepte dorëheqjen, duke mos pasur zgjidhje tjetër.
Top Channel