Shtohen studentët në Elbasan

20/10/2014 00:00

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” ka hapur dyert gjatë së hënës, për 15 mijë studentë në vitin akademik 2014-2015, me 5 fakultete dhe 34 cikle studimi.

Numri i studentëve në këtë universitet ka ardhur gjithmonë në rritje. Rektori Liman Varoshi tha se ky vit akademik nis me sfidat e përballimit të akreditimit, ku një agjenci e huaj, ashtu si në universitetet e tjera të vendit, do ta nisë këtë proces edhe në universitetin e Elbasanit.

“Të dashur studentë, dua t’iu them se ne përballemi me këtë sfidë jo në një mjedis vakuum, por me një mjedis të mbushur plot suksese. Ndër to do të veçoja suksesin që ka të bëjë me krijimin dhe përftimin e një kurrikule cilësore dhe koherente. Them kështu për faktin se në të reflektohen të gjithë standardet bashkëkohore, që garantojnë dhe mundësojnë kultivimin te studentët të dijeve të qëndrueshme dhe bashkëkohore”, u shpreh Liman Varoshi, Rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.

Top Channel