Prej ditësh tashmë vëmendja e mediave dhe opinionit publik është përqendruar tek ajo që ndodhi në Beograd dhe tek tensione diplomatike mes Serbisë dhe Shqipërisë që pasuan një ndeshje futbolli.
Nacionalizmi tregoi edhe njëherë tjetër prezencën e fuqishme që ka mes shoqërisë serbe. Cili do të jetë vendimi i UEFA-s për takimin e lënë përgjysmë në Beograd? Sa kohë do të duhet që të ulen tensionet dhe dy vendet të bashkëpunojnë? Ai ishte i duhuri vendimi i Kryeministrit Rama për të mos anuluar vizitën në Serbi dhe kush doli i fituar nga ky vendim?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu dhanë përgjigjje të ftuari e takimit të kësaj të hëne të emisionit “Shqip” me Rudina Xhungën.
I pari që mori fjalën ishte Halil Matoshi, analist nga Kosova. Ai u ndal tek nacionalizmi dhe tek pasqyrimi i ngjarjeve në media duke kritikuar atë që e quajti “efori të shqiptarëve”. “Nacionalizmi, sidomos në disa media, gazeta dhe portale ka shpërthyer në një eufori nacionaliste. Një Shqipëri që është superiore mbi Serbinë e sotme. Ne duhet të jemi më fisnikë se ata. Ne nuk duhet të bëhemi si ata sepse nacionalizmi serb fillon me kishën ortodokse, shtabin e ushtrisë dhe policinë serbe. Nacionalizmi shqiptar është i çiftelive dhe i Eposeve të Kreshnikëve. Shqipëria është anëtare e NATO-s, pretendon të jetë e BE-së, ka marrë statusin dhe Serbia nuk guxon të bëjë gjë ndaj saj, por që po përkëdhelet nga Brukseli. Turpi dhe futbolli do të harrohen shpejt. Le t’i fitojë kush të dojë ato tri pikët. Për mua nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që fituam luftën për Kosovën”, tha ai.
I ftuar në panel ishte edhe gazetari Sokol Balla. Në cilësinë e dëshmitarit të ndeshjes në Beograd dhe të duelit të boksit të Gjetan Ketës në Bulqizë pak ditë më pas, ai bëri dallimin: “Unë shkova nga Beogradi në Bulqizë për të parë një ndeshje boksi. Bulqiza është një zonë shumë nacionaliste dhe e persekutuar nga serbët dhe kur u luajt himni rus, të gjithë e respektuan atë dhe e duartrokitën në fund. E them këtë për të thënë se në Shqipëri nuk ka plasur një histeri nacionalizmi, shqiptarët janë patriotë. Këtu nuk ka nacionalizëm dhe Shqipëria e ka treguar se është më europiane se vendet e tjera të Ballkanit. Neve na është bërë një fyerje kombëtare e kolektive. Unë isha prezent në stadium dhe aty nuk ka patur huliganë dhe sportdashës, por ishin 23 mijë vetë në korr që thoshin “vrisni shqiptarët”.
Gjithashtu i ftuar në studio, avokati Spartak Ngjela u ndal tek interpretimi i simboleve të shfaqura nëpërmjet fluturakes në Beograd. “Ajo është harta që përfshin gjithë tokat shqiptare. Dy portretet kanë qenë dy tribunët e asaj kohe”, tha ai.
Cfarë do të bëhet me pikët? A do të marrë Shqipëria fitoren në tavolinë të enjten më 23 tetor? Cilat janë përgatitjet e FSHF-së dhe si do mbrohet ajo përballë Disiplinës së UEFA-s?
Për këto Bardhyl Minxhozi, zyrtar i Federatës thotë: “FSHF e ka vlerësuar me seriozitet ngjarjen. Kam qenë vetë pjesë e delegacionit. Ajo që ndodhi ishte një situatë e vecantë. Shkuam për të bërë një ndeshje. Ne e kemi konsideruar këtë ngjarje si ndeshje sportive, në këtë kontekst mendoj që Shqipëria atje është dhunuar, nuk është lejuar të luajë futboll dhe në këtë kontekst kodi i UEFA-s i ka vënë 6 akuza Serbisë. Kemi angazhuar ekspertët e dy studiove, një në Zvicër dhe një në Angli. Ata po punojnë për të paraqitur provat që dihen dhe ato që nuk dihen. Është bërë një punë serioze dhe shpresoj që në këtë proces, pavarësisht nga emocionet duhet të fokusohemi në faktet dhe procedurat dhe hapat për të fituar futbolli dhe rregullat e tij, për të fituar standardet”.
Avokati Ngjela shtoi: “Kam një informacion nga një studio gjermane ku thuhet se atyre (UEFA-s) nuk u intereson fare pse është hedhur droni, atyre nuk i intereson se kush e mori dronin. Ata kanë kapur faktin kur ka nisur lufta trup më trup dhe lufta trup më trup ka nisur për flamurin. Unë i thashë që ka arbitër në fushë dhe ai vendos për zënkat mes lojtarëve. Nga kjo pikëpamje argumenti i tyre rrëzohet lehtësisht, por ata janë përgatitur më mirë se ne. FSHF nuk ka dalë në asnjë konferencë shtypi, nuk ka shpjeguar fare ngjarjen dhe nuk kanë bërë lobing fare. Gjithë media shqiptare thoshte që skuadra shqiptare është në stadium dhe do shkojë nga stadiumi direkt në avion sepse rrezikon të vritet e gjitha. Ku jemi këtu?!”.
Sokol Balla: Komisari i Fushës i UEFA-s së bashku me gjyqtarin kanë shkuar në sallën e zhveshjeve ku kanë parë pesë lojtarë me dëmtime të rënda. Pyetja që u është bërë; a jeni në gjendje që të vazhdoni ndeshjen? Presidenti në bashkëpunim me të gjithë ka thënë jo. Nëse do të dilnin në fushë, rrezikoheshin të rriheshin edhe më rëndë. Nëse arbitri mendonte se ndeshja mund të vazhdonte duhet të dilte në fushë dhe të priste 15 minuta. Fakti që ai nuk doli tregon që edhe arbitri nuk ishte për vazhdimin e lojës.
Për Halil Matoshin: Ai nuk është flamuri as i Shqipërisë dhe as i Kosovës. Problemi është që deri tek droni ishte duke u luajtur futboll.
Gazetari Alfred Lela: Egërsimi i turmës serbe nisi më tepër kur Shqipëria nisi të sulmojë në portën e tyre. Imagjinoni çdo kishte ndodhur atje po të kishte bërë gol?!
Sokol Balla rrëfeu momentin e bisedës me një zyrtar të FSHF-së i cili deklaronte se më mirë të kishte shënuar Serbia se sa të shkonte ashtu.
Bardhyl Minxhozi ndërhyu duke thënë se Shqipëria meriton 3-pikëshin: “Meritojmë 3-pikëshin sepse vendi organizator ka dështuar në organizimin e një ndeshjeje. Ka patur raste të hedhjes së sendeve dhe fishekzjarreve gjatë gjithë lojës dhe në këtë kontekst Federata Shqiptare ka qenë prezente në media dhe përmes zyrave të saj. Po punojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv”.
Pjesa e dytë u përqendrua tek vizita e Edi Ramës në Beograd, vizitë e shtyrë për më 10 nëntor.
Drejtori i Komunikimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Gelvin Dervishi tha: “Dëshiroja të ndalesha në disa momente, që bllokimi i shqiptarëve në aeroportin e Beogradit. Ambasadori u ndodh në kushtet e një presioni psikologjik dhe kjo dihet. Kryeministri do zhvillojë vizitën në 10 nëntor. Kjo datë është vendosur pas komunikimit të vendosur, i kërkuar nga pala serbe. Vizita do zhvillohet në bazë të programit të përgatitur për datën 22 tetor dhe Kryeministri Rama do të shkojë edhe në Preshevë dhe do të shoqërohet nga një delegacion zyrtar përfshirë këtu edhe Ministri Bushati”.
Për Sokol Ballën ambasadori shqiptar në Beograd duhet të jetë një personalitet. Ai vlerësoi se Ilir Boçka nuk është personi i duhur për të qenë ambasador në Serbi dhe këtë, sipas tij, e vërtetuan edhe ngjarjet e para dhe pas ndeshjes së futbollit.
Analisti Halil Matoshi radhiti veten tek mbështetësit e vizitës së Ramës në Serbi: Qarqet nacionaliste në Kosovë dhe Shqipëri po i thonë Ramës mos shko. Rama është mbi nivelin intelektual të Vuçiçit. Rama duhet të shkojë në Beograd dhe duhet të kërkojë njohjen e Kosovës, të kërkojë të drejtat e shqiptarëve të luginës dhe jo t’ia imponojnë axhendën nacionalizmi serb.
Sokol Balla: Po të mos ishte për vendet e BE dhe Brukselit gjasat ishin që pala serbe nuk ishte dakort për vizitën më datë 22, por për anulimin e vizitës në Preshevë, por Rama e refuzoi këtë. Shqipëria ka qenë e privilegjuar sepse në fund ndërhyri Angela Merkel. Rama u dorëzua para Merkel, ndërsa Vuçiç u dorëzua para huliganëve.
Spartak Ngjela: Politika shpërthen edhe për mushkonja, edhe për ndeshjet. Në ndeshje hyri politika në mes. Kryeministri dhe presidenti serb dhe shtypi e përdorën politikisht dhe mbeti se cdo ndodhte në Tiranë. Rama u mjaftua me një shprehje shumë të paartikuluar politikisht, shumë s’e kuptuan se cfarë po thoshte. Rama ndodhej para një pikëpyetje të madhe, do të bëntë gabimin e dytë politik brenda një viti? Të parën e bëri me armët kimike. Nëse do të bënte edhe këtë të dytin dhe të mos shkonte në Serbi do kishte bërë gabimin e dytë. Fitoi politikisht sepse tregoi që Shqipëria di të bëjë politikë moderne dhe nuk është më ajo e klaneve. Precedentët botërorë që ka në raste të tilla, kanë qenë ata që kanë vajtur dhe nuk kanë anuluar ftesën. Ramës i ka ardhur një ftesë. Ai që bëri ftesën e kërcënoi që do ta anulojë, futi të gjithë përkrahjen e vet që ta ndërpriste Rama. Rama nuk e ndërpreu dhe fitoi betejën politike kundrejt kryeministri serb.
Sokol Balla: Nga ndeshja deri tek vizita marrim fitoren e dytë përballë shteti serb. Është një fitore e shtetit shqiptar që i tregojmë se shqiptarët janë më europianë se serbët.
Në pjesën e tretë në lidhje direkte nga Beogradi korrespondenti i Top Channel, Idro Seferi tha se pas publikimit të deklaratës së përbashkët të dy kryeministrave është zbutur gjuha e mediave serbe.
Ndërkohë, aktivisti i shoqërisë civile në Beograd, Dragan Popoviç foli për ngjarjet e fundit: Këto ngjarjet e fundit tregojnë një mosmarrëveshje të thellë për atë që kemi arritur deri më tani nëpërmjet Beogradit dhe Prishtinës në dialog. Ish-Kryeministri Daçiç dhe Thaçi kanë marrë falenderime dhe përkrhaje për marrëveshjen, por tani e shohim që nuk mund të ndodhë pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve përmes proceseve që janë një farsë dhe jorealë. Nëse një ndeshje futbolli mund të shkaktojë kaq shumë gatishmëri kundër shqiptarëve, edhe në Kosovë ka patur reagime antiserbe. Nuk është arritur asgjë deri më tani me gjithë këtë punë”, vlerësoi ai.
Alfred Lela pyeti nëse ka patur analistë serbë kundër rrymës që nuk kanë fajësuar shqiptarët?
Popovic: Me këto reagime nacionaliste u tregua që urrejtja është më e fortë e serbëve kundër shqiptarëve. Këto nuk kanë vdekur dhe janë gjithmonë aty për të krijuar probleme. Duhet të dalim nga kjo situatë në një formë, por kam frikë se në Serbi është problematike sepse nuk kemi një qeveri që s’e di sa është rritur kjo urrejtje dhe që nuk e di se sa me rëndësi janë marrëdhëniet me shqiptarët.
Pas Beogradit një lidhje direkte me “Shqip” ishte Agustin Palokaj, gazetari në Bruksel.
Rudina Xhunga: Duket sikur i shesim nacionalizma njëri-tjetrit, a është kështu? A transmetojmë kudo që kemi të drejtë? A na referohen ne apo shtë Beogradi që ja ka dalë mirë në këtë lojë?
Agustin Palokaj: Më shumë ndikim kanë patur mediat shqiptare se sa mediat në Beograd. Në rastin e ndeshjes informacioni më shumë është marrë nga Beogradi sepse ndeshja atje është bërë. Droni ishte fundi i incidenteve. Këtu ishte gabimi i BE dhe i mediave të huaja. Politika e mohimit ekziston edhe sot në mediat serbe. Serbia ndodhet në terr mediatik, edhe më shumë se në kohën e Milloshevicit. Koret raciste përmenden nga mediat serbe vetëm kur citohet ndonjë deklaratë e federatës shqiptare dhe thonë se “ka patur thirrje – thonë ata” sikur ngjarjet nuk ishin në Beograd.
Palokaj komentoi edhe deklaratën fillestare të KE-së: Është një organizëm ku punojnë 40 mijë njerëz dhe 28 komisionerë. Vlerësimi i parë i KE ishte bazuar në informacionet e marra nga Beogradi. Erdhi disa mintua pas deklaratës së Vucic që tha se shqiptarët provokuan dhe priste reagimin e BE-së”, tha ai.
Duke komentuar më pas vizitën e Ramës në Beograd, gazetari i njohur vlerësoi se ajo po mitizohej si dicka jonormale.
“Jam kundër mitizimit të takimit të dy udhëheqësve. Putin dhe Poroshenko u takuan në Itali ndërkohë që në Ukrainë vazhdojnë luftimet. Po ashtu Tuxhman takohej me Milloshevicin, ndërkohë që lufta vazhdonte. Ajo që dihet tani është se sjellja mohuese e asaj që ndodhi nuk sjell ndonjë ndryshim në Serbi”, deklaroi ai.
Top Channel