Shpresa e pengesa për marrëveshjen e gazit

20/10/2014 00:00

Marrëveshja paraprake mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë ka shtuar shpresat për t’i dhënë fund ngërçit, si pasojë e të cilit Moska ka ndalur furnizimin me gaz natyror ndaj Kievit, por ende ka pengesa për t’u kapërcyer.

Lëvizja e fundit mbi këtë çështje shënon të vetmen shenjë progresi në bisedimet mes Vladimir Putin dhe Petro Poroshenkos gjatë së premtes, të cilat dështuan të zgjidhnin dallimet mes palëve mbi luftimet në Lindje të Ukrainës dhe krizën e thelluar të marrëdhënieve mes tyre.
 
Dy palët, ministrat e Energjisë të të cilëve do të takohen në Bruksel gjatë së martës, kanë ende ndasi mbi përllogaritjen e borxheve të mëdha të Kievit dhe për planifikimin e pagesave, por ka edhe dyshime mbi aftësinë e Ukrainës për të paguar.

“Ngërçi qëndron te detajet. Nuk mendoj se gazi rus do të nisë të transportohet së shpejti në Ukrainë”, tha një burim i afërt me qeverinë ruse, i cili ka dijeni për bisedimet në Milano.

Pas takimit të Komisionerit europian të Energjisë, Guenther Oettinger, me zyrtarët ukrainas në Kiev, këtë të hënë, firma ukrainase e energjisë “Naftogaz” njoftoi se kanë rënë dakord që bisedimet e ardhshme në Bruksel të synojnë një marrëveshje të përkohshme për furnizimin me gazin rus dhe tranzitin drejt Europës.

“Një marrëveshje e tillë do të përmbajë garanci të prera mbi furnizmin me vëllimin e dakordësuar të gazit nga Gazpromi, në njërën anë, dhe një garanci për pagesat e gazit të furnizuar nga Naftogaz, në anën tjetër”, thuhej në deklaratën e Naftogaz, pa dhënë detaje mbi çmimin, borxhet apo sasinë.

Oettinger do të ndërmjetësojë takimin e së martës mes ministrave Yuri Prodan të Ukrainës dhe Alexander Novak të Rusisë.

“Ka ende shumë detaje. Thjesht po vazhdojmë diskutimet tona mbi baza bilaterale gjatë ditës së sotme”, tha Marlene Holzner, një zëdhënëse e Komisionit Europian. Ajo shtoi se po zhvillohen bisedime mbi çmimin, sasinë e pagesave që Kievi duhet të bëjë, dhe se sa gaz do të marrë Ukraina nga Rusisë përgjatë periudhës së dimrit.

Dhënia fund e krizës së gazit është e komplikuar, kjo për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Kievit, që kur Presidenti prorus Yanukovych u rrëzua nga pushteti në Shkurt, pas të cilës Rusia aneksoi Krimenë në Mars dhe separatistët nisën luftën e tyre ndaj forcave qeveritare në Prill, në Lindje të Ukrainës.

Top Channel