Analisti çështjeve të Ballkanit në “Economist Inteligence Unit” në Londër, Gabriel Partosh komenton për Top Channel vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd. Sipas Partoshit, ish-gazetar i BBC nuk është koha më e mirë për të shkuar në Serbi.
“Atmosfera është dukshëm më shpërthyese, e tensionuar dhe armiqësore, ndaj do të jetë më e logjikshme për të dyja palët të qetësohen fillimisht dhe të presin për një periudhë kohe. Mundet të jetë çështje javësh, apo muajsh dhe më pas të zhvillohet takimi”, thotë ai.
Top Channel: Z.Partosh ka shume debat aktualisht në Shqiperi mbi vizitën e ardhshme të Kryeministrit Rama në Beograd. Disa thonë nuk duhet shkojë, disa thonë duhet të shkojë. Unë jam një nga ata që besoj se nuk duhet të shkojë për momentin, pra të shtyhet pak për më vonë. Ne të dy së bashku kemi punuar në BBC për një kohë shumë të gjatë, a ka mundesi të më bindni mua përse duhet të shkojë zoti Rama në Beograd?
Gabriel Partosh: Më lejoni të them para së gjithash se unë jam i të njëjtit mendim se nuk është koha më e mirë për të shkuar. Atmosfera është dukshëm më shpërthyese, e tensionuar dhe armiqësore, ndaj do të jetë më e logjikshme për të dyja palët të qetësohen fillimisht dhe të presin për një periudhë kohe, mundet të jetë çështje javësh, mundet edhe disa muaj dhe më pas të zhvillohej takimi. Kjo do të ishte në një farë mënyre situate ideale. Thënë kjo, vetë fakti që Rama tha se ai dëshironte të shkojë, në një fare kuptimi nënkupton se do të ishte nën një lloj tërheqje nga ana e tij, e të thotë papritur që nuk po shkoj apo të mos shkoj sepse pala serbe ka vendosur që ata nuk e mirëpresin atë. Kryeministri Vuçiç tha se do e marrë vendimin gjatë fundjavës apo në minutën e fundit, ndaj në mungesë të një lloj bashkërendimi dypalësh, ku të dyja palët thonë se kemi vendosur që të mos e bëjmë këtë vizite dhe për aq kohë sa Vuçiç është i gatshëm të mirëpresë Kryeministrin e Shqipërisë, mendoj se ashtu siç është situata aktualisht, mundet shumë mirë që edhe të zhvillohet kjo vizitë. Ndoshta në një farë mënyre mund të ketë një takim kalimtar në kuptimin që të ketë një takim përgatitor ku të thonë; ja u takuam pas afro 70 vjetesh dhe i treguam botës se mund të bisedojmë me njëri-tjetrin. Por mundet që për çështjet thelbësore,si për bashkëpunimin, mundet të takohemi sërish, ndoshta në Tiranë, madje edhe përpara Krishtlindjeve.
TCH: Ishte vetëm një ndeshje futbolli, e cila tregoi se sa të brishta janë marrëdhëniet mes dy vendeve, Serbisë dhe Shqipërisë, që edhe pse janë vende kandidate për në Bashkimin Europian, demostruan qartësisht se janë ende të papërgatitura për t’u integruar më tej në Bashkimin Europian. Imagjonin nëse vetëm njëra prej tyre do të mund të anëtarsohej përpara, pasi do të përdornin veton ndaj njëri-tjetrit. Cili është mendimi juaj?
Gabriel Partosh: Unë bie dakort se nga ajo që kemi parë është një demostrim dhe manifestim i asaj se sa e brishtë është situata, kur madje edhe pse kanë kaluar vite me radhe pas konfliktit në Kosovë, 15 vjet pas mbarimit të luftës atje, apo gjashte vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, këto lloj armiqësish nacionaliste, janë ende të pranishme dhe do të duhej vetëm një shkëndijë e vogël, që ndez një lloj konflagracioni, jo domosdoshmërisht lufte, por qofte edhe një ambient të tillë kaq amiqësor. Pra, kjo tregon se ka nevojë për një përpjekje akoma më të madhe për ripajtim dhe në një farë mënyre një takim mes dy kryeministrave ishte projektuar për ta mundësuar një gjë të këtillë, por duhet që kjo të ndodhë në një ambient që është me paqësor për njëlloj të tillë marrëdhënie.
TCH : Megjithatë a mendoni ju se nacionalizmi në Ballkan ende është një kërcënim për stabilitetin në një plan më afatgjatë?
Gabriel Partosh: Po është kërcënim, madje shndërrohet në arsyen për vonesën në zhvillimin e një takimi mes dy kryeministrave, dhe në vetvete përbën një tregues se është kërcënim për një ambient të qëndrueshëm neërajon. Por thënë kjo, është mëse e qarteë,unë nuk mendoj se ka të njëjtën shkallë fuqie që ky kërcënim kishte në fund të viteve ‘90 dhe shumë nga këto çështje janë zgjidhur deri diku. Vetë fakti që ka një lloj marrëdhënie bashkëpunimi mes Serbisë dhe Kosovës, është dëshmi e impaktit që Europa, ose dëshira për t’iu bashkangjitur asaj, është një magnet i rëndësishëm që i tërheq këto vende. Por duhen përfshirë edhe popujt respektivë, edhe nëse qeveritë mund të jenë përpara popullsive të tyre për t’i dhënë fund retorikës nacionaliste, shpesh ato vihen nën trysni, pasi janë shtete demokratike dhe shpesh reagojnë ndaj këtyre notave nacionaliste apo ultranacionaliste, madje në rastin e Serbisë edhe të natyrës raciste, nga e pakta disa pjesë të popullsisë.
Top Channel