Nishani shkarkon ish-prokurorin e Pukës

18/10/2014 00:00

Presidenti Bujar Nishani dekretoi sharkimin nga detyra të ish-prokurorit të Pukës, Pëllumb Prençi, i denoncuar gati një vit më parë nga emisioni investigativ “Fiks Fare”.

Javën e kaluar Këshilli i Prokurorisë i sugjeroi prokurorit të përgjithshëm shkarkimin e Prençit nga detyra, ndërkohë që kryeprokurori sipas ligjit ia dërgoi këtë propozim presidentit.

Tashmë prokurori Prençi është nën gjykim në Gjykatën e Shkodrës së bashku me ish-gjyqtarin Shtjefen Lleshi.

Skandali në drejtësi në Gjykatën e Pukës, i cili u finalizua me nëntë të pandehur, që nga kryetyari Lleshi, prokurori Prençi, oficeri i policisë gjyqësore e deri tek kancelarë, sekretare e avokatë, u publikua nga “Fiks Fare” teksa palët kërkonin para në shkëmbim të lirisë së një të arrestuari.

Ndërkohë, gjykata e shkallës së parë shpalli fajtorë duke dënuar me një vit burg Dëfrim Prençin për mashtrim, avokatet Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi me nga një vit burgim, me 18 muaj burg është dënuar Meliha Kukaj dhe me 14 muaj Liljana Shkjai, të dyja të akuzuara për “korrupsion pasiv”.

Top Channel