Si mund të ndryshojë çmimi i energjisë

14/10/2014 00:00

Qeveria ka lajmëruar se do të ndryshojë skemën e tarifimit të energjisë,
nga varianti aktual me dy çmime në një të ri, ku do të ketë vetëm një
çmim të njehsuar.

Por si ndryshon fatura e energjisë për konsumatorët familjarë? Kjo do të varet nga niveli i ri i tarifës që Enti Rregullator do të përcaktojë në fund të dhjetorit.

Por Top Channel ka përllogaritur ndryshimet për tre variante çmimesh, 8.5 lekë, 9.5 lekë dhe 10.5 lekë për kilovat orë. Llogaritë përfshijnë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Sipas perllogatitjeve, ndryshon fatura mujore për familjet që ndodhen në fashat e konsumit nga 200 në 600 kilovat orë nëse çmimi i ri do të jetë 8.5 lekë.

Nese cmimi i ri do te jete 8.5 leke, per familjet qe ndodhen ne fashat e konsumit nga 200 ne 600 kilovat orë, krahasuar me skemën aktuale, barra rritet për familjet me konsum të ulët energjie dhe lehtësohet për ata që konsumojnë mbi 350 kilovat orë në muaj. Për një familje me konsum 250 kilovat orë fatura rëndohet me 240 lekë në muaj, ndërsa për një familje, që konsumon 600 kilovat ajo ulet me 1512 lekë në muaj krahasuar me atë që paguhet sot.

Nëse çmimi bëhet 9.5 lekë, rritja për familjet me konsum të ulët është edhe më e fortë, ndërsa fasha e atyre që preken zgjerohet, duke përfshirë të gjitha familjet me konsum deri në 400 kilovat orë në muaj. Mbi këtë nivel fatura ulet.

Në fund është varianti nëse Enti vendos që cmimi i ri të jetë 10.5 lekë. Ky nivel cmimi e rrit barrën për të gjitha familjet me konsum deri në 550 kilovat orë në muaj dhe e lehtëson për ata që janë mbi këtë nivel konsumi. Për një familje që konsumon 300 kilovat orë, rritja është 1008 lekë në muaj, ndërsa për një tjetër me konsum 600 kilovat orë, fatura ulet me 72 lekë në muaj.

Të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator tregojnë se 75.1 për qind e familjeve e kanë konsumin mujor nën 300 kilovat orë. Në cdo variant çmimi të ri që do të miratojë Enti, edhe për atë më të ultin me 8.5 lekë, fatura për këto familje do të rritet krahasuar me atyë aktualen. Qeveria ka deklaruar se do të kompensojë familjet në nevojë, ndonëse rritja prek pjesën dërrmuese të konsumatorëve, por skema e kompensimit ende nuk është përcaktuar apo bërë publike.

Top Channel