
Protestuesit në Meksikë kanë sulmuar zyrat e qeverisë lokale në shtetin Gerrero, të irrituar nga zhdukja e 43 studentëve trupat e të cilëve u gjetën javën e kaluar në një varr masiv.
Qindra demonstrues kanë thyer dritaret dhe u kanë vënë zjarrin disa pjesë të ndërtesës në kryeqytetin e shtetit, Çilpançingo.
Studentët ishin zhdukur që nga përleshjet e 26 shtatorit me policinë në qytetin Iguala. Oficerë të shumtë, të akuzuar për lidhje me bandat e drogës, u arrestuan pas akteve të dhunës që lanë të vdekur gjashtë persona.
Protestuesit dyshojnë se policët kapën studentët e zhdukur para se t’ua dorëzonin një karteli droge, të njohur si Luftëtarët e Bashkuar.
Ata u mblodhën jashtë kompleksit qeveritar, duke lejuar fillimisht punonjësit të largoheshin para se të plaçkisnin dhe t’i vinin zjarrin ndërtesës dhe një automjeti të parkuar jashtë saj.
Ata i bënë thirrje guvernatorit të shtetit që të japë dorëheqjen për shkak të ngjarjes së studentëve, ndërsa paralajmëruan radikalizimin e protestave nëse nuk do të ketë progres në hetime.
Edhe në shtete të tjera të Meksikës u zhvilluan protesta, ku mijëra pjesëmarrës i kërkonin qeverisë që të veprojë për të lokalizuar studentët e humbur.
Presidenti Enrique Pena Nieto u shfaq në një fjalim televiziv fundjavën e kaluar, ku premtoi identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Ai e cilësoi ngjarjen si “shokuese, të dhimbshme dhe të papranueshme” dhe paralajmëroi se nuk do të ketë “pandëshkueshmëri”.
Top Channel