
Aeroporti i Londrës, Heathrow, do të nisë skanimin e pasagjerëve që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar nga vendet e prekura nga virusi i Ebolës.
Autoritetet shëndetësore britanike presin që të verifikohen disa raste, sidomos kur udhëtarët do të përpiqen të arrijnë Britaninë me rastin e Krishtlindjeve.
Skanimet do të fillojnë në terminalin numër 1, para se të zgjerohen më pas në terminalët e tjerë dhe në aeroportet Gatwick dhe Eurostar nga fundi i javës.
Në shtator, rreth 1 mijë persona mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar nga vendet e Afrikës Perëndimore, të prekura nga virusi i Ebolës.
Njerëzit që udhëtojnë nga Liberia, Sierra Leone dhe Guinea do të identifikohen nga oficerët e policisë kufitare. Infermiere dhe konsulentë të shërbimit shëndetësor të Anglisë do të kryejnë më pas kontrollet mjekësore.
Pasagjerëve do t’u matet temperatura, do të plotësojnë një pyetësor dhe do t’u regjistrohen adresat dhe kontaktet. Kush do të shfaqë simptomat e virusit do të dërgohet në spital.
Ndërsa pasagjerët e tjerë që mendohet se mund të jenë në rrezik infektimi pasi kanë qenë në kontakt me të prekurit nga virusi, por që nuk tregojnë simptoma, do të kontaktohen çdo ditë nga Shëndeti Publik.
Deri tani virusi vdekjeprurës i Ebolës ka vrarë mbi 4 mijë persona në Liberi, Sierra Leone dhe Guinea.
Top Channel