Kobane, avancojnë kurdët

14/10/2014 00:00

Luftëtarët kurdë njoftuan rimarrjen në kontroll të një kodre e konsideruar si pikë strategjike për fatin e betejës disa-javore mes tyre dhe militantëve të ISIS.

Avancimi i forcave kurde u ndihmua nga bombardimet ajrore të njëpasnjëshme të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Kodra Tall Shair u mor nga ekstremistët 10 ditë më parë pas një beteje të gjatë dhe të ashpër që zgjati muaj të tërë.

Të hënën avionë luftarakë turq të tipit “F-16” dhe “F-4” kanë bombarduar pozicionet e rebelëve kurdë në provincën Hakari, në afërsi të kufirit me Irakun.

Bëhet fjalë për sulmin e parë domethënës ndaj PKK-së, që kur grupi rebel shpalli armëpushimin në mars të vitit 2013.

E përditshmja “Hurriyet” njofton se sulmet ajrore të kryera natën e së hënës në afërsi të fshatit jug-lindor Daglica shkaktuan shumë viktima.

Aktualisht kurdët janë të acaruar me Turqinë për shkak të refuzimit të saj për t’i ndihmuar ata për mbrojtjen e qytetit të Kobanes nga militantët e Shtetit Islamik.

Gazeta të tjera turke shkruajnë se natën e së hënës ka pasur luftime mes rebelëve të PKK-së dhe trupave në Tunceli, në pjesën lindore të Turqisë, jo shumë larg kufirit.

Nga ana e saj ushtria turke deklaroi se sulmet ajrore në Daglica ishin një përgjigje ndaj një sulmi të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit kundër një postoblloku ushtarak në këtë zonë.

PKK e kishte sulmuar pikën ushtarake për tre ditë me radhë me armë të rënda automatike dhe raketa-hedhëse, raporton më tej e përditshmja “Hurriyet”.

Javën e kaluar protestat e kurdëve mbushën rrugët e provincave jug-lindore të Turqisë. Të paktën 31 persona mbetën të vrarë për shkak të përleshjeve me policinë. Shkak i protestave u bë politika pasive e Ankarasë ndaj luftimeve për qytetin Kobane.

Top Channel