Irak, shiitët akuzohen për krime

14/10/2014 00:00

Sipas një raporti të publikuar nga Amnesty International milicitë shiite në Irak kanë rrëmbyer dhe vrarë shumë civilë në muajt e fundit. Vrasjet janë kryer në shenjë hakmarrje për sulmet e Shtetit Islamik.  

Në raport thuhet se grupet paramilitare janë përkrahur dhe armatosur nga qeveria e Irakut.

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, i cili mori detyrën muajin e kaluar është zotuar se do të qeverisë për të gjithë irakianët, ndërsa sipas tij, nga qeveria e mëparshme ka pasur edhe veprime të pahijshme.

Ende nuk ka pasur një koment mbi raportin nga al-Abadi, por më parë ai kë thënë se Iraku aktualisht përballet më një betejë “ekzistenciale” kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Amnesty thotë se milicitë kanë fituar terren dhe janë bërë më të fuqishme që prej muajit qershor, kur ushtria irakiane është vënë në vështirësi nga ISIS. Në raport thuhet se shumë prej sulmeve ndaj militantëve të Shtetit Islamik janë kryer nga milicitë, të cilët kanë rekrutuar mijëra vullnetarë.

Top Channel