
Qindra agjentë policie në Hong Kong kanë përdorur sharra dhe gërshërë të mëdha për të çmontuar barrikadat e vendosura nga aktivistët pro-demokracisë në afërsi të zyrave të qeverisë.
Forcat e rendit hapën gjithashtu një arterje kryesore rrugore në zonën financiare të ishullit. Bëhet fjalë për ditën e dytë të operacioneve, që sipas autoriteteve zhvillohen për lehtësimin e trafikut dhe jo për të shpërndarë protestuesit.
Demonstruesit kanë pushtuar disa zona të Hong Kongut prej më shumë se dy javësh. Pjesa më e madhe e tyre janë studentë të bashkuar me një grup pro-demokratik të quajtur Pushtoni Qendrën, që kërkojnë zgjedhje demokratike në vitin 2017.
Kina, që ka dhe kontrollin mbi Hong Kongun, deklaron se banorët mund të votojnë, por do të jetë Pekini që do të vendosë se cilët kandidatë do të garojnë.
Ditën e hënë, përplasje pati mes kundërshtarëve të grupimit Pushto Qendrën dhe aktivistëve të tij, pasi policia hoqi barrikadat në lagjen qendrore. Persona të veshur me maska mjekësore u vërsulën kundër barrikadave dhe u përpoqën t’i hiqnin ato.
Një përplasje e ngjashme u verifikua edhe në lagjen tjetër Mong Kok 10 ditë më parë, edhe pse sipas policisë disa prej të përfshirëve rezultonin të lidhur me organizatat kriminale.
Deputeti i Partisë Demokratike, Albert Ho tha për agjencinë e lajmeve AFP se, “kjo është një nga taktikat e përdorura nga komunistët në Kinë herë pas here. Ata përdorin mafian apo grupe të tjera pro-qeveritare për të të sulmuar, në mënyrë që qeveria të mos mbajë asnjë përgjegjësi”.
Më vonë gjatë së hënës, protestuesit përforcuan barrikadat, duke vendosur barriera bambuje dhe thasë me çemento.
Top Channel