Hackerat rusë, sulm ndaj NATO-s, BE-së dhe Ukrainës

14/10/2014 00:00

Hackerat rusë kanë shfrytëzuar të metat (bugs) e Microsoft Windows-it dhe programeve të tjera, për të spiunuar kompjuterët e përdorur nga NATO, Bashkimi Europian, Ukraina dhe kompani të ndryshme të sektorit energjitik dhe atë të telekomunikacionit, sipas firmës së inteligjencës kibernetike “iSight Partners”.

“ISight” bën të ditur se nuk ka dijeni mbi të dhënat që janë gjetur nga hakerat, megjithatë dyshohet se ata kanë kërkuar informacione mbi krizën në Ukrainë, si dhe të dhëna mbi çështjet diplomatike, energjitike dhe të telekomit, bazuar mbi objektivat dhe përmbajtjen e emaileve “phishing” të përdorur për të infektuar kompjuterët e tyre.

Fushata 5-vjeçare e spiunazhit kibernetik është ende duke vazhduar, sipas “iSight”, e cila e quajti këtë operacion “Sandworm Team”, për shkak se gjeti referenca që e lidhnin me seritë fiction-shkencorë të “Dune” në kodin e programit të përdorur nga hackerat.

Në këtë operacion janë përdorur një varietet i shumë mënyrash sulmi ndaj objektivave përgjatë viteve, teksa hackerat kanë nisur vetëm nga muaji Gusht i kaluar të zbulojnë të metën në shumicën e versioneve të Windows-it.

“ISight” ka njoftuar gjithashtu se ka raportuar me kohë te Koorporata e Microsoftit mbi këto të meta, ndaj dhe krijuesit e programeve kanë pasur mjaftueshëm kohë për t’i riparuar ato. Një zëdhënës i Microsoftit tha se kompania ka planifikuar të përhapë një përditësim automatik ndaj versioneve të prekura të Windows-it, duke nisur nga kjo e martë.

Ende nuk ka asnjë koment nga qeveria ruse, NATO, BE apo qoftë edhe nga qeveria ukrainase. “ISight” është një kompani studimore me seli në Dallas dhe thotë se hackerat besohen të jenë rusë, për shkak të të dhënave gjuhësore në kodin e programit, por edhe për shkak të objektivave të përzgjedhur për të sulmuar.

Top Channel