Ebola, vdes punonjësi i OKB në Gjermani

14/10/2014 00:00

Një punonjës i Kombeve të Bashkuara, i infektuar nga virusi i Ebolës, ka ndërruar jetë në Gjermani.

Punonjësi po trajtohej në spitalin e Lajpcigut dhe ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së martës, raporton gazeta “Der Spiegel”.

I ndjeri kishte punuar si anëtar i stafit mjekësor të OKB-së në Liberi, një nga vendet më të prekura nga virusi, ku kishte marrë edhe sëmundjen. Ai mbërriti në Gjermani të enjten e kaluar për mjekim.

“Pavarësisht masave intensive mjekësore dhe përpjekjeve maksimale të stafit, 56-vjeçari u dorëzua para sëmundjes së rëndë infektive”, thuhet në një deklaratë për shtyp të spitalit St Georg.

Personi në fjalë ishte pacienti i tretë që mjekohej për virusin vdekjeprurës në Gjermani, vijon raportimi i “Der Spiegel”.

Një pacient tjetër vazhdon të marrë mjekime në një spital të Frankfurtit, ndërsa një i tretë doli nga spitali i Hamburgut pas pesë javë trajtim.

Që nga rënia e tij në muajin mars virusi i Ebolës ka vrarë mbi 4 mijë persona, shumica e të cilëve në Liberi, Sierra Leone, Guine dhe Nigeri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi atë si “emergjencën shëndetësore më serioze dhe më akute të kohëve moderne”.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe janë mes vendeve që kanë marrë masa kontrolli për frenimin e sëmundjes nëpër aeroporte.

Top Channel