Britani, i akuzuari dyshohet për atentat ndaj Blair

14/10/2014 00:00

Një person i akuzuar për terrorizëm në Britani, në një gjyq tepër të ndjeshëm sa që prokurorët kërkuan ta dëgjonin atë në sekret të plotë, mund të ishte duke planifikuar një sulm ndaj ish-kryeministrit Tony Blair. Kështu është bërë e ditur nga seanca dëgjimore e së martës.

Erol Incedal, 26 vjeç, u arrestua në Tetor të vitit të kaluar së bashku me një tjetër person, Mounir Rarmoul-Bouhadja, i cili pranoi javën e kaluar se zotëronte një dokument, që tregonte mënyrën se si të krijohej një bombë, në një kartë memorieje, bën të ditur prokurori Richard Whittam.

Incedal, i cili jeton në Londër dhe ka shtetësi britanike, mohon akuzat e përgatitjes së akteve të terrorizmit me persona të tjerë të huaj, si dhe që të ketë në zotërim informacione të përdorshme për terrorizëm.

“Aktet e terrorizmit, të cilat po përgatiteshin prej tyre, ishin ndoshta kundër një numri të kufizuar individësh, një individi me peshë të madhe, apo edhe të një rangu më të gjerë, ndoshta edhe një sulm pa dallime diskriminuese si ai në Mumbai të Indisë, në vitin 2008”, tha Whittam përpara jurisë, në gjykatën “Old Bailey”.

Edhe pse Whittam tha se nuk kishte asnjë plan të caktuar apo ndonjë objektiv specifik, ai shtoi se një copë letre me adresë pronën e zotëruar prej ish-kryeministrit Blair, u gjet në Mercedesin e zi të Incedalit, kur ai u ndalua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, në Shtator 2013.

“Në kontekstin e kësaj çështjeje në tërësi, ju mund të mendoni se kjo letër kishte një domethënie edhe më të madhe”, tha Whittam.

Blair, 61 vjeç, i cili zotëron një shtëpi në qendër të Londrës, ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga 1997-2007, vite gjatë të cilave Britania iu bashkua invazoneve të udhëhequra prej Amerikës në Afganistan dhe Irak. Ai është tashmë i dërguari për paqe i Kuartetit të Lindjes së Mesme, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, Rusinë dhe Bashkimin Europian.

Top Channel