Vatikani sfidon Kishën për gay-t

13/10/2014 00:00

Në atë që mund të konsiderohet si një ndryshim dramatik i tonit, një dokument i Vatikanit bënte të ditur gjatë së hënës se homoseksualët kishin “dhunti dhe kualitete për të ofruar”, si dhe ngrinte një pyetje nëse Katolicizmi duhet t’i pranojë gay-t dhe të njohë aspektet pozitive të çifteve të të njëjtës gjini.

Dokumenti, i përgatitur pas një jave diskutimesh në një asamble prej 200 peshkopësh mbi familjen, thoshte se Kisha duhet ta sfidojë vetveten për të gjetur një “hapësirë vëllazërore” për homoseksualët, pa kompromentuar doktrinën katolike ndaj familjes dhe martesës.

E ndërsa teksti nuk sinjalizonte ndonjë ndryshim në ndëshkueshmërinë kishtare ndaj akteve të homoseksualëve apo martesës mes gay-ve, në të përdorej një gjuhë më pak gjykuese dhe më shumë mëshiruese, nga sa është parë në deklaratat e Vatikanit përpara zgjedhjes së Papa Françeskut në vitin 2013.

“Homoseksualët kanë dhunti dhe kualitete për t’i ofruar komunitetit të krishterë. A jemi ne të aftë për t’i mirëpritur këta njerëz, t’u garantojmë atyre më shumë hapësirë në komunitetet tona? Shpesh ata dëshirojnë të vihen përballë një kishe, e cila u ofron atyre një mirëpritje të ngrohtë në shtëpi”, thuhej në dokumentin e njohur në latinisht si “relatio”.

“A janë komunitetet tona të afta ta provojnë; pranimin dhe vlerësimin e orientimit të tyre seksual; pa kompromentuar doktrinën katolike mbi familjen dhe martesën?”, thuhej në të.

John Thavis, ekspert i Vatikanit dhe autor i librit “bestseller” të vitit 2013 “Ditaret e Vatikanit”, e quajti raportin si një “tërmet” ndaj sjelljes së Kishës kundrejt gay-ve. “Dokumenti reflekton qartësisht dëshirën e Papa Françeskut për të adaptuar një qasje më të mëshirshme pastorale ndaj çështjeve të martesës dhe familjes”, tha ai.

QUEST me seli në Londër, një prej grupeve më të vjetra katolike të të drejtave të homoseksualëve, tha në një deklaratë se pjesë të dokumentit të asamblesë “përfaqësojnë një kthesë, se ata e dinë mirë që të tilla grupe kanë një mirësi të brendshme dhe konstituojnë një kontribut të çmuar për mbarë shoqërinë dhe të mirën e përbashkët”.

Dokumenti i Vatikanit do të jetë baza e diskutimeve për javën e dytë dhe të fundit të asamblesë së peshkopëve, e njohur gjithashtu si “sinod”. Ajo do të shërbejë gjithashtu për një reflektim të mëtejshëm mes katolikëve në mbarë botën, përpara një tjetër sinodi që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Top Channel