
Kryeministri turk ka deklaruar se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje për të lejuar Shtetet e Bashkuara për të përdorur bazat e tyre për sulme ajrore kundër ISIS-it.
Parlamenti turk miratoi së fundmi një mocion që u lejon forcave të huaja të përdorin bazat e saj për aktivitetet në Siri dhe Irak. Megjithatë, shefi i ekzekutivit thotë se bisedimet me Uashingtonin po vazhdojnë.
Ndërkohë, një grup ushtarakësh amerikanë do të udhëtojë për në Ankara këtë javë për të diskutuar programin e stërvitjes që shteti turk ka planifikuar për opozitën e moderuar siriane, si dhe mbi misionet që mund të kryhen nga bazat turke.
Në ditët e fundit, luftëtarët e ISIS-it kanë avancuar drejt qytetit sirian të Kobanes, që është gjithashtu një pikë kyçe për kalimin e kufirit për në Turqi.
Por si pala siriane ashtu edhe ajo turke nuk kanë qenë në gjendje të fitojnë terren kundër tyre, pavarësisht sulmeve të mëtejshme ajrore të forcave të koalicionit kundër pikave të ISIS në lindje dhe jug-perëndim të qytetit gjatë natës.
Turqia ka vendosur forcat e saj ushtarake në kufi, por deri tani ka përjashtuar mundësinë e operacioneve në terren dhe ka refuzuar të lejojë kurdët e Turqisë që të kalojnë kufirin për të luftuar.
Ankaraja zyrtare ngurron sa i takon përfshirjes ushtarake, pjesërisht sepse i druhet armatimit të forcave kurde që luftojnë kundër militantëve të ISIS-it, me të cilët ka pasur një luftë të gjatë civile.
Qe nga nisja e ofensivës së militantëve islamikë për marrjen nën kontroll të Kobanes, nga mesi i shtatorit, rreth 500 persona janë vrarë dhe mbi 200 mijë të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë për t’u strehuar në Turqi.
Top Channel