Turqia lejon SHBA-të të përdorin bazat e saj

13/10/2014 00:00

Turqia ka pranuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përdorin bazat e saj ajrore në fushatën kundër militantëve të ISIS-it. Lajmin e bëri të ditur Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Susan Rice.

Zonja Rice tha se SHBA-të e mirëpresin këtë marrëveshje me vendin që ndan kufirin me Sirinë dhe Irakun, shtete të cilat kanë përqëndrimin më të madh të militantëve të ISIS-it.

“Turqia ka pranuar të lejojë SHBA-të të përdorin territorin dhe bazat e tyre për të trajnuar forcat opozitare siriane dhe për të nisur sulme në Irak dhe Siri”, tha Susan Rice për NBC-në.

Në ditët e fundit, ISIS-i ka avancuar në qytetin sirian të Kobanës. Në një muaj konflikti, bilanci i vdekjeve shënon 550 vetë e situata e qytetit siriano-kurd vazhdon të mbetet e rrezikshme.

Sulmet ajrore të aleatëve arritën të zmbrapsin disi militantët e Shtetit Islamik, por jo t’i largojnë krejtësisht prej zonave të pushtuara në periferitë e qytetit. Ashtu siç e kanë bërë të qartë zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit përpara tij, edhe shefi i Pentagonit, Chuck Hagel, argumenton se për frenimin e xhihadistëve po bëhet ç’është e mundur, por fushata nga ajri nuk e zgjidh dot përfundimisht këtë situatë.

“Përmes sulmeve ajrore ne po bëjmë më të mirën e mundshme për të frenuar e zmbrapsur ISIS-in, dhe në fakt, progres në disa zona ka pasur. Përparime janë bërë edhe në drejtim të bisedimeve me zyrtarët turq sa i takon planeve të Ankarasë për stërvitjen e rebelëve të moderuar sirianë e furnizimin e tyre me pajisjet e nevojshme për luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Ekipe ushtarake amerikane do të zhvillojnë të tjera bisedime në Turqi javët e ardhshme”, tha shefi i Pentagonit, Chuck Hagel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA