Thaçi, sërish në krye të PDSH

13/10/2014 00:00

Menduh Thaçi, do ta drejtojë Partinë Demokratike Shqiptare edhe në katër
vitet e ardhshme. Në Kongresin e VI të PDSH-së që u mbajt të dielën,
delegatët partiakë i dhanë Thaçit mbështetje të plotë.

Menjëherë pas rizgjedhjes, ai përkujtoi me një minutë heshtje Arbën Xhaferin, liderin e parë të PDSH-së. Në fillim të fjalimit të tij para të pranishmeve, Menduh Thaçi, foli për situatën e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni dhe fajësoi partinë e Ali Ahmetit BDI si pjesë e pushtetit në Shkup për nënçmimin e shqiptarëve.

“Si parti më e madhe opozitare, cdo herë në mënyrë institucionale kemi reaguar ashpër ndaj çdo veprimi që ka qenë dhe është në dëm të shqiptarëve. Qëndrimet tona janë të njohura botërisht dhe janë konform asaj që i takon pushtetit moral të opozitës, kurse barra për veprim dhe për përmbushje të pritjeve të shqiptarëve i bie vetëm atij që ka zënë vendin në pushtetin ekzekutiv. Prandaj, heqja e paraleles mes PDSH-së dhe atyre të cilëve shtyllat elektrike iu duken si kulla e Afelit, nuk është korrekte”, u shpreh Thaçi.

Kreu i PDSH-së, tha se partia e tij asnjëherë nuk do të gjunjëzohet para goditjeve të vazhdueshme nga qarqet antishqiptare, që kanë për qëllim shkatërrimin e saj. Ai, foli edhe për objektivat e partisë në vitet e ardhshme dhe tha se platforma e PDSH-së, është zgjidhja e vetme për problemet e shqiptarëve në Maqedoni.

“Instalimi i frikës si instrument sundimi, na detyron që objektivi ynë i parë të bëhet rikthimi i demokracisë në shoqëri dhe tek shqiptarët. Oferta jonë politike duhet të arrijë tek çdo shtëpi shqiptari dhe me të gjitha argumentet e shëndosha të depërtojë në vetëdijen e çdo shqiptari me qëllim që ai të njohë zgjidhjet që i ofron PDSH-ja”, u shpreh Thaçi.

Në Kongresin e gjashtë të PDSH-së, përvec kryetarit u zgjedhën edhe katër nënkryetarët, sekretari gjeneral, kryesia qendrore dhe Kuvendi i partisë. Kongresi po ashtu ka miratuar edhe një Rezolutë me të cilën, autorizon organet e partisë që të angazhohen vendosmërisht në realizimin e programit të PDSH-së për t`u garantuar shqiptarëve barazinë e plotë në Maqedoni. Po ashtu, përmes kësaj Rezolute, PDSH fton qeverinë e Tiranës dhe atë të Prishtinës, që në raportet ndërshtetërore të kenë parasysh realitetin e hidhur që është krijuar në Maqedoni. Me këtë rezolutë kërkohet edhe depolitizim i institucioneve të drejtësisë, luftimi i korrupsionit, zgjidhja e kontesteve me fqinjët sidomos në Greqinë në konsultim me faktorin shqiptarë në vend, përshpejtimi i procesit të integrimit në NATO dhe BE, pavarësia e medieve, si dhe sjellja e ligjit elektoral që parandalon manipulimet në zgjedhje.

Top Channel