Milojko Pantiç, me zërin e tij, ka qenë një nga komentatorët që ka ngritur në këmbë miliona shikues në ish-Jugosllavi. Për 35 vjet me radhë ka komentuar ndeshje të ndryshme, skuadra, futbollistë.

Në kohën e ish-Jugosllavisë kujton se ka qenë krejtësisht normale, që gol të bënte një shqiptar, serb apo kroat, mjaftonte që të mbronin ngjyrat e klubeve.

“Futbolli, si sporti më i famshëm në botë, duhet të bashkojë dhe jo të ndajë njerëzit”, shprehet Milojko Pantiç, komentator futbolli.

Pantiç thotë se zgjidhja do të ishte te një ligë e përbashkët dhe se Federata Serbe duhet të fillojë bisedimet me atë të Kosovës.

“Tifozët e Partizanit harrojnë që Xhevat Prekazi, Fadil Vokrri e Bajro Zhupiç, nga Novi Pazari, kanë qenë njerëz të etnisë dhe besimit tjetër, por me dijën dhe me lojën e tyre kanë dhënë gjithçka për Partizanin, dhe me ta ka fituar kampionati jugosllav e më gjerë. Si mund t’i presin tani Prekazin, Vokrrin e Bajro Zhupiç, si vendas me parullat ‘Kosova është zemra e Serbisë’ në Beograd?”, thotë Milojko Pantiç.

Pantiç thotë se politika ka politizuar çdo fushë të jetës.

“Bëhet fjalë për mungesë të kulturës, njohjes së historisë dhe injorancës. Nëse Federata Serbe do të bënte apel, që i presin shqiptarët krahë hapur, unë jam i sigurt se gjithçka do të kalonte pa problem”, tha Pantiç.

Legjenda jugosllave e transmetimit të ndeshjeve kujton se shkrirja e marrëdhënieve në Luftën e Ftohtë ka filluar me një ndeshje ping-pongu mes Kinës dhe Amerikës.

Top Channel