Serbët: Është vetëm ndeshje futbolli

13/10/2014 00:00

Entuziazmi në Serbi për ndeshjen Shqipëri-Serbi nuk është edhe aq i
madh. Shitja e biletave kalon pa problem dhe duket se do të ketë
mjaftueshëm për të gjithë.

Një pjesë e tifozëve në këndet e shitjes së biletave paguajnë paratë për t`u futur në stadium.

Nuk do të ketë tifozë shqiptar, edhe për serbët kërkohet karta e identitetit. Një pjesë e madhe prej tyre kërkojnë bileta për zonat neutrale. Ata thonë se duan të shohin ndeshjen dhe natyrisht të bëjnë tifo për Serbinë.

Tifoz: Unë jam tifoz i Serbisë dhe shpresoj se do të fitojë Serbia.

Top Channel: A mendoni se ka pasur mjaft tensione rreth ardhjes së tifozëve. Është kjo e tepruar?

Tifozi: Është e tepruar, nuk është e nevojshme. Mbi të gjitha ky është sport. Do të vijnë dhe gjithçka do të kalojë.

Top Channel: Dini ndonjë gjë për futbollin shqiptar në përgjithësi?

Tifozi: Nuk di shumë. E di që ka mundur Portugalinë dhe duhet të jetë një skuadër e mirë. Me sa di unë deri tani nuk është kualifikuar. Por, as klubet nuk janë prezente në Ligën e Kampionëve apo Ligën e Evropës ndaj nuk di shumë.
—–
Tifoz: Serbia do të fitojë. E di që Shqipëria luan mirë, por natyrisht ne do të fitojmë.
 
Top Channel: Pse keni blerë biletat, për tifo apo?

Tifozi: Të bëj tifo për Serbinë. Kanë kaluar këto gjëra. Kanë ndodhur keqkuptime dhe kanë kaluar. Edhe francezët e gjermanët janë vrarë mes tyre dhe janë pajtuar. Sa na përket ne, të gjithë shqiptarët janë të mirëseardhur në Serbi. Natyrisht ata që vijnë me qëllime të mira.

Megjithatë, katër mijë policë do të kujdesen për sigurinë e ndeshjes. Jo të gjithë janë kaq miqësorë për këtë ndeshje dhe për disa nuk bëhet fjalë vetëm për pikët. Federata Serbe e Futbollit ka bërë të ditur se ata që krijojnë probleme do të arrestohen, e me procedurë të shpejtë do të shkojnë drejt burgut. Stadiumi i Partizanit është bërë gati për ndeshjen dhe qindra gazetarë do ta ndjekin atë. Përveç shqiptarëve dhe serbëve, interesim ka edhe nga të tjerët.

Top Channel