
Kryeministri britanik, David Cameron, nuk do të marrë pjesë në votimin parlamentar mbi atë nëse qeveria e tij duhet ta njohë Palestinën si një shtet më vete apo jo, bëri të ditur zëdhënësi i tij gjatë së hënës, përpara një debati që pritet të rrisë profilin politik të kësaj çështjeje.
Zëdhënësi i Cameron tha se votimi, i cili është thirrur nga një ligjvënës opozitar, nuk do të ndryshojë qëndrimin diplomatik të Britanisë, e cila deri më tani nuk e klasifikon Palestinën si një shtet, por thuhet se mund ta bëjë këtë gjë në çdo kohë, nëse besohet se kjo do të ndihmonte në përpjekjet për paqe mes palestinezëve dhe Izraelit.
Votimi në fakt do të ketë vlera simbolike dhe do të ndiqet me interes nga autoritetet palestineze dhe izraelite, si një barometër për gatishmërinë europiane për të vepruar mbi shpresat e palestinezëve për njohje të paanshme nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Debati vjen vetëm pak kohë pasi qeveria e re e qendrës së majtë në Suedi pritet ta njohë zyrtarisht Palestinën, një lëvizje që është dënuar nga Izraeli, sipas të cilit Palestina e pavarur duhet të jetë një arritje vetëm përmes negociatave.
Mocioni parlamentar britanik, i cili pritet të votohet më 21:00 (23:00 me orën tonë), nënvizon faktin nëse “Kjo Dhomë beson se qeveria duhet ta njohë shtetin e Palestinës përkrah shtetit të Izraelit”, gjë që nëse nuk merr miratim shkon të disfavor të palestinezëve.
Zëdhënësi i Cameron tha se kryeministri nuk do të marrë pjesë në votim, dhe se qeveria u ka kërkuar ministrave të abstenojnë. Gjithsesi, mocioni ka mbështetjen e opozitës së udhëhequr prej të majtëve, Partisë Laburiste, udhëheqja e së cilës u ka kërkuar ligjvënëse të votojnë në favor të mocionit, një urdhër që ka nxitur irritime mes disa parlamentarëve pro-Izrael, të cilët ose do të “rebelohen” ose nuk do të votojnë në këtë rast.
Edhe nëse shumica e Dhomës së Përfaqësuesve, me 650 anëtarë, do të votojë në favor të mocionit, ai nuk është detyrues, ndaj dhe nuk do ta detyrojë Britaninë të ndryshojë politikën e saj të jashtme.
“Kam qenë tepër i qartë në lidhje me pozicionin e qeverisë dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha zëdhënësi, kur u pyet në lidhje me pasojat e mundshme të votimit.
Top Channel