
Kryeministri australian Tony Abbott ka deklaruar se planifikon të përballet me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me rrëzimin e avionit të “Malaysian Airline” në muajin korrik.
Fluturimi “MH17” nga Amstërdami për në Kuala Lumpur u qëllua teksa udhëtonte mbi pjesën lindore të Ukrainës dhe 298 pasagjerë që ndodheshin në të, mes të cilëve 38 australianë, humbën jetën.
Zoti Abbott deklaroi se ata u vranë me mbështetjen e Rusisë dhe pritet që ta takojë shefin e Kremlinit në samitin e grupimit G20 në Brisbejn, në nëntor.
“Dëgjoni, unë do të përballem me zotin Putin. Mund të vini bast për këtë”, deklaroi Abbott në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e hënë.
Tonet e tij linin të kuptohej se kryeministri mund të mbajë një qëndrim paksa agresiv ndaj presidentit rus.
“Unë do t’i them zotit Putin se, shtetasit australianë u vranë. Ata u vranë nga rebelët e mbështetur nga Rusia duke përdorur pajisje ushtarake ruse”, theksoi Abbott.
Nga ana e tij zoti Putin e ka mohuar disa herë përfshirjen e Moskës në këtë ngjarje.
Kryeministri australian është përballur së fundmi me një valë kritikash për faktin se do të lejojë presidentin Putin të marrë pjesë në samit.
Lideri i opozitës, Bill Shorten deklaroi se prania e tij në këtë samit do të thotë që zyrtarët australianë të “lajnë fytyrën” lidhur me incidentin e “MH17”.
Por ditën e diel zoti Abbott tha se, nuk është në kompetencat e Australisë të ndalojë pjesëmarrjen e zotit Putin, pasi një gjë e tillë do të minonte konsensusin e vendeve anëtare të G20-s.
Top Channel