
Qeveria e Koresë së Veriut ka deklaruar se lideri i vendit, Kim Jong un, është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Të mos dyshojë askush për këtë”, ka thënë ambasadori i vendit komunist në Britani për BBC, pavarësisht se lideri nuk shfaqet në publik që prej 3 shtatorit.
Ambasadori Hyon Hak Bong tha gjithashtu se misionari amerikan Kenneth Bae po mbahet në një “institut reformimi”, që nuk është njësoj si kampet e punës.
Zoti Bae u dënua me 15 vjet punë të rënda në vitin 2013. Ambasadori, duke iu përgjigjur me email rrjetit informativ britanik, tha:
“Ne kemi institute riedukimi ku të dënuarit, sipas ligjit, riedukohen përmes punës. Disa media perëndimore i quajnë ato “kampe pune”, por ato janë institucione riedukimi”.
Një muaj më parë, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve koreanë, zoti Bae dha një intervistë për mediat perëndimore, ku thoshte se po trajtohej në mënyrën “më humane të mundshme”.
Megjithatë, familja e tij thotë se misionari ka dërguar disa letra ku thoshte se shëndeti i tij po rëndohej dhe se vuante nga diabeti.
Ambasadori koreano-verior në Londër duket se është angazhuar në një nismë të udhëhequr nga diplomatët e Penianit nëpër botë kundër kritikave që bëhen ndaj vendit të izoluar aziatik sa u takon të drejtave të njeriut.
Më herët gjatë muajit Kombet e Bashkuara e akuzuan Korenë e Veriut për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë këtu shfarrosjet sistematike, torturat, dhunimet, abortet e detyruara dhe vdekjen nga uria.
Top Channel