Ban: Izraeli të heqë dorë nga plani për blloqe të reja banimi

13/10/2014 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, bëri thirrje ndaj Izraelit këtë të hënë të heqë dorë nga planet për të zgjeruar blloqet e banimit në Jeruzalemin Lindor, të cilin palestinezët e pretendojnë si kryeqytet të shtetit të ardhshëm të tyre, si dhe nxiti të dyja palët të kthehen urgjentisht në bisedimet e paqes.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, si dhe aneksoi pjesën lindore të qytetit, në një lëvizje që nuk u njoh nga ndërkombëtarët. Palestinezët synojnë të formojnë shtetësinë e tyre në të tre këto territore, ndërkohë që Izraeli e konsideron Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm dhe të pandashëm.

Ban Ki-moon kritikoi planin e fundit të Izraelit për blloqe të reja banimi, pasi takoi kryeministrin Benjamin Netanyahu në Jeruzalem, si pjesë e vizitës së tij në rajon, vetëm një ditë pasi Perëndimi dhe kombet arabe u angazhuan për një ndihmë prej 5,4 miliardë dollarësh në konferencën e Kajros, për të rindërtuar Gazën.

Rripi i hollë bregdetar i mbipopulluar nga palestinezët u shkatërrua thuajse tërësisht gjatë luftës në Korrik-Gusht, mes Izraelit dhe islamikëve të Hamasit, teksa këta të fundit kanë marrë në dorë kontrollin e Gazës pas tërheqjes së Izraelit në vitin 2005.

Më herët gjatë këtij muaji, Izraeli njoftoi planet për të ndërtuar 2600 njësi të reja banimi në “fqinjin” Givat Hamatos, pjesë e terrenit të pushtuar në Juglindje të Jeruzalemit, shumë pranë qytetit palestinez të Bregut Perëndimor, Betlehem.

Lëvizja, që sipas kritikëve do t’i ndante palestinezët nga Jeruzalemi duke krijuar një unazë banesash hebreje përreth krahut jugor të qytetit, është kritikuar edhe prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Ban Ki-moon tha se planet ishin “në shkelje të qartë” të ligjeve ndërkombëtare. “Ky veprim nuk dërgon sinjalet e duhura, ndaj dhe i bëj thirrje qeverisë së Izraelit të kthejë mbrapsht aktivitete të tilla”.

Ban tha gjithashtu se “pas kësaj vere të vështirë, me luftën që përfundoi më 26 Gusht me një armëpushim mes izraelitëve dhe palestinezëve, të dyja palët duhet të ndërmarrin hapa për të rindërtuar besimin”.

Ban do të vizitojë Gazën gjatë së martës, duke parë vet personalisht se çfarë kërkohet për të rehabilituar enklavën e mbipopulluar prej më shumë se 1,8 milionë banorë, ku rreth 20 mijë shtëpi u shkatërruan nga bombardimet izraelite dhe sulmet ajrore gjatë konfliktit të muajve Korrik-Gusht.

Top Channel