Aksidenti i “Air France”, pilotët ishin në gjumë

13/10/2014 00:00

Më 31 maj të 2009 Fluturimi 447 i Air France i nisur nga Rio drejt Parisit, nuk mbërriti kurrë në kryeqytetin francez. Avioni ra në ujërat e Atlantikut duke u marrë jetën 228 personave në bord.

Menjëherë pas zhdukjes së tij nisën hetimet për të kuptuar shkaqet. Fillimisht dyshimet e para ranë mbi një sulm terrorist, pistë që me kalimin e kohës u braktis dhe aksidenti tragjik iu faturua motit të keq.

Megjithatë hetuesit francezë nuk i bindi vetëm ky shkak. Ata ngulmuan në zbardhjen e plotë të ngjarjes për të kuptuar nëse ka patur neglizhencë nga ana e pilotit kryesor të avionit.

Për shkak të thellësisë së oqeanit në pjesën ku u rrëzua avioni u deshën dy vite punë për të rikuperuar të gjithë trupat e pajetë të pasagjerëve dhe kutitë e zeza të fluturimit. Këto të fundit zbardhin të vërtetën rrënqethëse sa i përket aksidentit.

Në numrin e muajit tetor revista “Vanity Fair” zbardh një pjesë të asaj që ka ndodhur në bord. Sipas kësaj reviste nga regjistrimet audio të siguruara nga kutitë e zeza rezulton se dy nga tre pilotët e avionit ndodheshin në gjumë në momentin e aksidentit.

“Dreqin! Jemi të vdekur!”, dëgjohet në regjistrimin e zbardhur nga revista njëri nga tre pilotët pak para aksidentit tragjik.

Hetuesit francezë dyshojnë se ka patur një shkelje të procedurave standarde të fluturimit nga kapiteni i avionit, i cili po të kishte qendruar zgjuar për 10-15 minuta më shumë mund të kishte shmangur futjen në një masë ajrore të trubullt.

Hetimi është përqendruar në vendosjen para përgjegjësisë ligjore kompaninë “Air France” dhe “Airbus”. Vetë kompanitë mohojnë të jenë shkelur procedurat nga ana e pilotëve të saj, por pavarësisht kësaj kanë përforcuar trajnimet e pilotëve për shmangjen mekanike të turbulencave ajrore. 

Top Channel