
Ka një dritë shprese nga OKB-ja për frenimin e epidemisë së ebolës, kërcënimi më i madh i shëndetit për vendet e Afrikës perëndimore sot. Edhe pse rastet e infektimit vazhdojnë të shtohen me një ritëm frikësues, i dërguari i posaçëm i organizatës, David Nabarro, mendon se ebola mund të vihet nën kontroll brenda 3 muajsh.
Ndihmesë të madhe në ndalimin e virusit do të jepte shtimi i ndërgjegjësimit në komunitet: “Them se kemi një përfshirje më të mirë të komunitetit, një angazhim më të madh të tij, çka më shtyn të besoj se vënia e situatës nën kontroll brenda tre muajsh do të ishte një objektiv i arsyeshëm. Me vënien nën kontroll nënkuptoj reduktimin e ndjeshëm të numrit të infektimeve në një javë krahasuar me javën paraardhëse, deri në pikën kur të mos ketë më asnjë kalim të ri të virusit.”
Gjithmonë e më shumë po kuptohet se izolimi i të prekurve është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse. Shumica e vdekjeve prej saj janë regjistruar në tre shtete afrikano-perëndimore: Guinea, Liberia e Sierra Leone. Po këtu janë edhe pjesa dërrmuese e 8.300 të infektuarve, qofshin këta të konfirmuar apo të dyshuar. Raste të ebolës janë raportuar edhe në Nigeri e Senegal, ndërsa ato që mbollën frikë në Perëndim ishin infektimet në Spanjë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fillim, shumë komunitete afrikane nuk e kuptuan se bëhej fjalë për një sëmundje të tmerrshme infektive dhe nuk u bënë përpjekje për t’i mbajtur personat e infektuar larg nga të tjerët. Vendet perëndimore nga ana tjetër janë duke shtuar masat për mbrojtjen nga virusi. I pari që nisi programin e monitorimit për të parandaluar përhapjen e sëmundjes ishte aeroporti kryesor i Nju Jorkut, JFK, ku ka filluar matja e temperaturës së pasagjerëve që mbërrijnë nga Liberia, Sierra Leone dhe Guinea. Udhëtarët përballen gjithashtu me pyetje për të përcaktuar nëse kanë patur kontakt me ndonjë person të infektuar.
Masa të ngjashme në aeroporte dhe stacione treni është duke vendosur edhe Britania.
Top Channel