Ndotja, Bashkia e Tiranës, akuza qeverisë

12/10/2014 00:00

Një dite pasi Agjencia Kombëtare e Mjedisit bëri publik monitorimin e ajrit  në 9 qytete të vendit, nga ku rezultoi se në Tiranë pluhuri i respirueshëm dhe dioksidi i karbonit janë disa herë më të larta se normat e lejuara nga Bashkimi Europian, ka reaguar Bashkia e Tiranës duke fajësuar qeverinë për nivelin e lartë të ndotjes në kryeqytet.

Drejtori i politikave mjedisore në Bashkinë e Tiranës, Romeo Hanxhari, deklaroi: “Nga njëra anë, me të drejtë vetë qeveria konstatoi se trafiku është një nga arsyet kryesore të ndotjes së ajrit. Nga ana tjetër, vetë qeveria e bllokon zgjidhjen e problemit. Projekti i Bashkisë për kalimin nga transporti mbi goma në tranportin mbi shina nëpërmjet tramit Kinostudio-Kombinat, do i kursente çdo ditë Tiranës 3 tonë dioksid karboni. Ndërtimi i terminalit multimodal, realizimi i të cilit pret vetëm vendimin që lejon Bashkinë të nisë procedurat e përfundimit, do i kursente Tiranës plot 6 tonë dioksid karboni çdo ditë.”

Zoti Hanxhari ka listuar një sërë investimesh që do të kryente Bashkia e Tiranës, por për shkak se janë bllokuar nga  kryeministri, sipas tij, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ndotjes në kryeqytet.

Nga ana tjetër, ai kërkoi të mos lejohet tregtimi i karburanteve me cilësi të ulët: “Përmirësimi rrënjësor që këto investime do i bënin cilësisë së ajrit në kryeqytet është një tjetër arsye pse kryeministri Edi Rama duhet të ngrihet mbi interesat e tij politike dhe t’i shërbejë interesave të qytetarëve. Gjithashtu, u bëjmë thirrje autoriteteve dhe Prokurorisë të marrin masa dhe të nisin hetimet për personat që kanë futur në treg karburant jashtë standarti, duke u bërë kështu ndotësi kryesor i ajrit. Qeveria, si përgjegjës kryesor i kontrollit të cilësisë, duhet të marrë masa për të nxjerrë nga tregu karburantet pa cilësi.”

Monitorimet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit treguan se përveç Tiranës edhe në Elbasan dioksidi i azotit është mbi normat e Bashkimit Europian, ndërsa në qyetete si Vlora dhe Korça, ka rezultuar rritje e nivelit të azotit .

Top Channel