Kujdesi për shëndetin paliativ

12/10/2014 00:00

Pacientët me sëmundje tumorale do të marrin shërbim të kujdesit paliativ të mundësuar nga shteti.

Ky kujdes, i cili ka të bëjë me fazën më të rëndë të sëmundjes, me lehtësimin e dhimbjeve të pacientit në ambientet e shtëpisë pasi janë kryer ndërhyrjet apo kurat mjekësore në spital, është ofruar deri më tani vetëm nëpërmjet qendrave jopublike apo shoqatave të ndryshme dhe shumë pak në spitale publike.

Këtë të dielë që përkon në muajin e kancerit të gjirit, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka vizituar qendrën jopublike “Meri Poter” në Korçë, ku ka deklaruar vëmendje të veçantë nga Ministria e Shëndetësisë për kujdesin paliativ.

“Brenda javës së ardhshme, në Kuvend do të miratohet edhe ligji për kujdesin paliativ. Në ligj është krijuar hapësira që ky shërbim të mund të ofrohet edhe në bashkëpunim me institucione jopublike”, u shpreh Beqja.

Ministri ka vlerësuar shërbimin e ofruar në këtë qendër, e cila sipas tij u vjen në ndihmë qytetarëve. Një ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara nga shoqëria civile në kuadër të fushatës “Shqipëria, Jo duhanit” në qytetin e Korçës, ku qindra qytetarë marshuan përgjatë shëtitores së qytetit juglindor duke shpërndarë lule dhe fletëpalosje për t’i thënë “Jo” duhanit.

Top Channel