ISIS, SHBA: Duhet ndërhyrje nga toka

12/10/2014 00:00

Në një muaj konflikti të Kobanes, bilanci i vdekjeve shënon 550 vetë, e situata e qytetit siriano-kurd vazhdon të mbetet e rrezikshme.

Sulmet ajrore të aleatëve arritën të zmbrapsin disi militantët e Shtetit Islamik, por jo t’i largojnë krejtësisht prej zonave të pushtuara në periferitë e qytetit. Ashtu siç e kanë bërë të qartë zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit përpara tij, edhe shefi i Pentagonit, Chuck Hagel argumenton se për frenimin e xhihadistëve po bëhet ç’është e mundur, por fushata nga ajri nuk e zgjidh dot përfundimisht këtë situate.

Përmes sulmeve ajrore ne po bëjmë më të mirën e mundshme për të frenuar e zmbrapsur ISIS-in, dhe në fakt, progres në disa zona ka pasur. Përparime janë bërë edhe në drejtim të bisedimeve me zyrtarët turq sa i takon planeve të Ankarasë për stërvitjen e rebelëve të moderuar sirianë e furnizimin e tyre me pajisjet e nevojshme për luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Ekipe ushtarake amerikane do të zhvillojnë të tjera bisedime në Turqi javët e ardhshme”, tha shefi i Pentagonit, Chuck Hagel.

Në Observatorin sirian për të Drejtat e Njeriut, theksi vihet te dizavantazhi në terren i luftëtarëve kurdë që mbrojnë qytetin.

Xhihadistët janë më të shumtë në numër, e mbi të gjitha, të armatosur më mirë. Ata përdorin mortaja, topa e tanke, rrëfen për “Reuters” zyrtari vendas, Idris Nassan, e sigurisht që kurdët, vetëm me plumba e me kallashnikovë, nuk ia dalin dot.

Edhe pse në parim pritet një deklaratë zyrtare e Turqisë mbi hapat që do të hedhë në vazhdim, vendi i shqetësuar prej konfliktit të tij të gjatë me popullatën kurde, e ka përjashtuar mundësinë e çdo ndërhyrjeje tokësore.

Bashkimin në betejë, qeveria turke deri tani e ka refuzuar me citimin e lidhjeve mes mbrojtësve kurdë të Kobanes dhe partisë së jashtëligjshme Punëtorët e Kurdistanit. PKK ka kryesuar prej dekadash rebelimin për vet-administrimin e juglindjes së Turqisë, e konsiderohet organizatë terroriste nga Ankaraja dhe Uashingtoni.

Top Channel