Britani, masa kundër emigracionit

12/10/2014 00:00

Ashtu siç pritej, fitoret e euroskeptikëve në zgjedhjet e parakohshme në disa zona elektorale në Britani kanë shtura zërat dhe presionin që kryeministri Cameron të ashpërsojë retorikën dhe praktikën e masave anti-emirgracion.

Deputetë, si konservatorë ashtu edhe laburistë,  po prononcohen këto ditë për shtrëngimin e kontrolleve në kufijtë e Britanisë pasi qeveria po dështon në frenimin e numrit të emigrantëve që vijnë në Britani.

Kryeministri, ndërkohe ka deklaruar se çështja e kuotave të emigrantëve që do të vijnë nga vendet e varfra të BE-së dhe veçanërisht për vendet që do të anëtarësohen në të ardhmen, do të jetë në qendër të negociatave të tij me udhëheqësit e Brukselit në kuadër të shmangies ose jo të referendumit të planifikuar për të ardhmen e Britanisë në Bashkimin Europian.

Cështja e emigracionit pritet të jetë në qendër edhe të fushatës së ardhshme elektoral të konservatorëve që ndodhen përballë një beteje të vështirë për rikonfirmimin në pushtet në zgjedhjet e majit të ardhshëm.

Cameron kërkon që të vendos kuota për numrin e atyre që do të vijnë për të punuar dhe jetuar nga vendet aspirante për të hyrë në BE.

Ndërkaq, numri i shqiptarëve që vijnë në Britani vazhdon me ritme të larta, ku janë të shumtë të rinjtë nën moshë dhe femrat që kërkojnë azil, për gjakmarrje, orientimin seksual, apo për prostitucion.

Së fundmi, ka rritje të numrit të të rinjve që pretendojnë se vijnë nga familje me prindër fanatik fetar, që kërkojnë t’i indoktrinojnë dhe detyrojnë ata të shkojnë të luftojnë në Siri.

Pavarësisht nga retorika dhe masat anti-emigracion që qeveria aktuale kërkon t’i ashpërsojë dhe negocioi me BE-në, pikëpyetja më e madhe mbetet: A do të mundet të rizgjidhet Kryeministri aktual sërish dhe a do të adoptojnë masa të ngjashme laburistët, që favorizohen nga sondazhet, nëse fitojnë zgjedhjet politike të vitit të ardhshëm?

Top Channel