
Në aeroportin JFK të Nju Jorkut ka nisur procesi i skanimit të pasagjerëve për të ndaluar përhapjen e virusit të Ebolës, që ka vrarë mbi 4 mijë njerëz.
Pasagjerëve nga Liberia, Sierra Leone dhe Guinea, vendet më të prekura nga virusi, do t’u duhet të masin temperaturën dhe t’u përgjigjen një seri pyetjesh.
Ndërkohë, në aeroportet Newark, O’Hare të Cikagos, Dulles të Uashingtonit dhe në atë të Atlantës procesi i kontrollit do të nisë në ditët e ardhshme.
Këto masa vijnë pasi ditën e mërkurë në Teksas ndërroi jetë personi i parë i prekur nga Ebola. Thomas Duncan kishte udhëtuar në Shtetet e Bashkuara nga Liberia dhe u diagnostikua me virusin në fjalë sapo mbërriti në Dallas.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se numri i vdekjeve që u atribuohen etheve hemoragjike ka arritur në 4.033.
Shumica e vdekjeve, plot 4.024, kanë qenë në shtetet e Afrikës Perëndimore Liberi, Sierra Leone dhe Guinea.
Masat e skanimit në aeroportin JFK filluan këtë të shtunë. Agjentët e kufirit do të kontrollojnë pasagjerët për shenja sëmundjeje, si për shembull temperaturën e lartë.
Pasagjerët nga tre vendet afrikane do të pyeten gjithashtu mbi udhëtimet e mëparshme para mbërritjes në Shtetet e Bashkuara dhe nëse kanë qenë në kontakt me dikë të prekur nga Ebola.
Nëse ata përgjigjen “po” për çdo pyetje ose nëse kanë temperaturë, një përfaqësues i shërbimit mjekësor do të ndërhyjë dhe do të ofrojë asistencë shëndetësore.
Top Channel