Kinë, dënim me vdekje anëtarëve të sektit

11/10/2014 00:00

Një gjykatë kineze ka dënuar pesë anëtarë të një sekti për rrahjen me vdekje të një gruaje në një restorant në provincën Shandong, majin e kaluar.

Dy prej anëtarëve iu dha dënimi me vdekje, njërit burgim i përjetshëm dhe dy të tjerëve nga 10 vjet burg.

Sipas mediave kineze, viktima u vra pasi refuzoi t’u jepte numrin e saj të telefonit anëtarëve të sektit, të cilët kërkonin ta rekrutonin atë në radhët e tij.

Sekti i krishterë Zoti i Plotfuqishëm është i ndaluar në Kinë, por megjithatë ai pretendon se ka miliona anëtarë në radhët e tij.

Dënimi me vdekje për dy anëtarët, atë e bijë, u dha këtë të shtunë nga Gjykata e Popullit të provincës Shandong, bashkë me dënimet përkatëse për anëtarët e tjerë.

Gjithësesi, Gjykata Supreme e Kinës rishikon të gjitha dënimet me vdekje të dhëna nga gjykata e shkallëve të ulëta dhe ka të drejtë t’i rrëzojë ato.

Vrasja e gruas 37-vjeçare në muajin maj shkaktoi irritim në mbarë Kinën. Anëtarët e sektit hynë në një restorant të vogël McDonald’s, duke u kërkuar numrat e telefonit të pranishëmve, në përpjekje për t’i rekrutuar.

Gruaja, që ndodhej atje me të birin 7-vjeçar, refuzoi ta bënte këtë dhe anëtarët e sektit e rrahën për vdekje. Dhe kur ajo ulërinte nga dhimbja, agresorët u bënin thirrje klientëve të tjerë që të mos shikonin, ndryshe do të kishin pasur të njëjtin fat.

I intervistuar më vonë në burg, agresori kryesor nuk tregoi asnjë shenjë pendese. “E rraha me të gjithë forcën time. Ajo ishte dialli, ne duhet ta shkatërronim”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB