ISIS, luftë për rrethimin e Kobanes

11/10/2014 00:00

Të shtëna dhe shpërthime mund të dëgjohen nga qyteti kufitar sirian i Kobanes, ku luftëtarët e Shtetit Islamik po përpiqen të rrethojnë luftëtarët kurdë.

Militantët islamikë sulmuan zonat perëndimore të qytetit, por u duhet ende të marrin pikën e kufirit me Turqinë. Pika në fjalë përbën një rrugë kyçe furnizimi, raportojnë korrespondentët e mediave ndërkombëtare.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po vazhdon sulmet ajrore kundër ISIS-it si në në Siri dhe në Irak, por kurdët në Kobane thonë se u duhen urgjentisht armë dhe municione.

Megjithatë, së fundmi vetë Shtetet e Bashkuara kanë pranuar se sulmet ajrore mund të mos mjaftojnë për të mbrojtur qytetin.

E teksa tingujt e të shtënave po vazhdojnë edhe gjatë së shtunës, re të dendura tymi dhe pluhuri kanë mbuluar qytetin, duke i bërë të vështira, por jo të pamundura sulmet ajrore.

Luftëtarët kurdë kanë zmbrapsur avancimin e ISIS-it brenda në Kobane, por militantët po furnizohen fare thjeshtë nga jugu dhe lindja dhe janë në gjendje të kryejnë sulme të mëtejshme, raporton korrespondenti i BBC.

Ndërsa një zyrtar siriano-kurd tha po për rrjetin informativ britanik se ISIS ka kryer sulme të shumta në zona të ndryshe në jug-perëndim, jug-lindje dhe në lindje të qytetit.

Në Kobane mendohet të jenë ende disa qindra civilë. Ditën e premte, i dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura paralajmëroi se, “shumica e tyre do masakrohen nga ISIS nëse qyteti bie”.

Ndërkohë, në Irak, autoritetet në provincën e Anbarit bënë një apel urgjent për ndihmë ushtarake, duke deklaruar se zona mund të bjerë në duart e militantëve brenda pak ditësh.

Top Channel