Belgjikë, betohet kryeministri më i ri në histori

11/10/2014 00:00

Qeveria e re e qendrës së djathtë në Belgjikë është betuar këtë të shtunë përpara mbretit Philippe të këtij vendi, pas më shumë se 4 muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme.

Ekzekutivi i ri drejtohet nga frankofoni Charles Michel, 38 vjeç, që është dhe kryeministri më i ri në moshë i Belgjikës që prej vitit 1841.

Qeveria në fjalë është e para që përfshin në radhët e saj ministra nga partia nacionaliste NVA. Ajo është zotuar se do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe se do të balancojë buxhetin kombëtar.

Belgjika ka një preçedent “mizor” sa u takon ngërçeve politike pas zgjedhjeve. Herën e kaluar u deshën 541 ditë për të formuar kabinetin e udhëhequr nga socialistët.

Ndërkohë, vendi është gjithashtu thellësisht i ndarë nga ana gjuhësore. Partitë e holandezëve dolën mirë në zgjedhje, por vendosën të formonin një koalicion katërpalësh dhe të zgjidhnin një frankofon si kryeministër.

Partia NVA, që lufton për më shumë autonomi për veriun e Belgjikës, aty ku flitet kryesisht gjuha holandeze, doli e para në zgjedhjet e majit.

Lideri i saj, Bart De Wever do të vazhdojë të qëndrojë kryetar i bashkisë së qytetit të Antuerpit dhe nuk do t’i bashkohet qeverisë.

Sikurse ka premtuar uljen e taksave, ekzekutivi i ri planifikon gjithashtu të ngrejë moshën e pensionit nga 65 në 66 vjeç në vitin 2025 dhe në 67 vjeç në 2030.

Kryeministri në ikje, frankofoni socialist Elio di Rupo, ka marrë përsipër të udhëheqë opozitën kundër këtyre politikave.

Top Channel